Grupi i Bankës Botërore mobilizoi gjatë vitit fiskal 2026 më shumë kapital privat se në çdo vit tjetër në historinë e tij dhe ofroi një vëllim rekord garancish, duke përmbushur një objektiv që aksionerët dhe vendet kliente e kanë kërkuar prej vitesh: mobilizim më të madh të kapitalit privat krahas financimit dhe ekspertizës të vetë Grupit në ekonomitë në zhvillim.

Në një njoftim për shtyp BB bën të ditur se, vlera e kapitalit privat të mobilizuar nga Grupi i Bankës Botërore është më shumë se trefishuar gjatë katër viteve të fundit, duke u rritur nga 35 miliardë dollarë në vitin fiskal 2022 në 112 miliardë dollarë në vitin fiskal 2026. E kombinuar me financimin nga burimet e vetë Grupit, kjo e çoi vlerën totale të financimit dhe kapitalit të mobilizuar në ekonomitë në zhvillim në mbi 200 miliardë dollarë gjatë vitit fiskal 2026.

Mobilizimi i kapitalit privat (MKP) në vendet me të ardhura mesatare të ulëta u rrit nga 14 miliardë dollarë në vitin fiskal 2022 në 37 miliardë dollarë në vitin fiskal 2026, pothuajse duke u trefishuar. Në vendet me të ardhura mesatare të larta, MKP-ja u rrit nga 12 miliardë dollarë në 50 miliardë dollarë, më shumë se katërfish. Në vendet me të ardhura të ulëta, që përbëjnë ndër mjediset më sfiduese për mobilizimin e kapitalit privat, ky nivel u ruajt në rreth 3 miliardë dollarë. Në Afrikë, MKP-ja u rrit nga afërsisht 9 miliardë dollarë në 22 miliardë dollarë, një rritje prej gati 150 për qind.

Këto rezultate janë fryt i ndryshimeve të ndërmarra gjatë tre viteve të fundit në të gjithë Grupin e Bankës Botërore për të bashkëpunuar në mënyrë më efektive me sektorin privat: më shpejt dhe më thjeshtë, duke sjellë më pranë sektorin publik dhe privat dhe zgjeruar gamën e instrumenteve në dispozicion të investitorëve. Në çdo vend, Grupi i Bankës Botërore vepron si një ekip i vetëm, një pikë e vetme kontakti për aktivitetet në sektorin publik dhe privat, teksa zhvillon strategji të integruara që pasqyrojnë nevojat dhe prioritetet specifike të zhvillimit të secilit vend.