Monday, November 25, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ART​Baleti Kombëtar i Kosovës shënon 50-vjetorin e themelimit

​Baleti Kombëtar i Kosovës shënon 50-vjetorin e themelimit

Baleti Kombëtar i Kosovës shënon sot me një ceremoni 50-vjetorin e themelimit. Në ceremoni do të marrin personalitet më të larta shtetërore dhe do të organizohet një koncert special e BKK-së për këtë ngjarje. Ceremonia nis në ora 19:00, në sallën e sportit “1 Tetori”, në Prishtinë, ku të pranishmëve me nga një fjalë rasti i drejtohen Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. Po ashtu, është paraparë ndarja e mirënjohjes për Ahmet Brahimaj, si dhe prezantimi i Pullës Postare nga Posta e Kosovës për nder të 50-vjetorit të themelimit të BKK. Ndryshe, trupa e parë e Baletit të Kosovës u formua në vitin 1972. Balerinët e kësaj gjenerate u shkolluan në Shkollën e Mesme të Baletit në Shkup, nën udhëheqjen e regjisores Tatjana Petkovska. Në shkollë kanë diplomuar 25 valltare nga Kosova – 19 meshkuj dhe 6 femra. Pas përfundimit të suksesshëm të shkollimit, shumica e balerinëve u kthyen në Prishtinë. Në kuadër të Teatrit Kombëtar të Kosovës u formua Baleti i Kosovës. Balerinët e parë ishin: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Me punë dhe përkushtim, brezi i parë vuri në skenë shumë produksione të mëdha, duke përfshirë: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhënjimin”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Kënga e Rexhes”, “Besa”, “Don Kishoti”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj. Në vitin 1985, Ahmet Brahimaj u emërua drejtor i Baletit të Kosovës. Gjenerata e parë dha një kontribut të çmuar në ngritjen e skenës artistike në Kosovë. Jashtë Kosovës, baleti performoi me shumë sukses në të gjitha skenat e ish-Jugosllavisë. Ata gjithashtu morën pjesë disa herë në Festivalin Ndërkombëtar “Bienalen e Baletit” në Lubjanë dhe “Lojërat Verore në Dubrovnik”. Në vitin 1991, balerinët e Kosovës u larguan me dhunë nga teatri. Në atë moment, baleti i ndërpreu të gjitha aktivitetet e tij. Pas luftës, me ndihmën e disa kolegëve, Ahmet Brahimaj hapi shkollën e parë të mesme të baletit, në kuadër të shkollës së mesme muzikore “Prenk Jakova”. Në vitin 2001, pas shumë vitesh mungesë, gjenerata e parë e Baletit të Kosovës u rikthye në skenë e shoqëruar nga valltarët e rinj të shkollës. Shfaqja e parë “Fyelltari” u shfaq me shumë sukses.https://ata.gov.al/2022/10/09/baleti-kombetar-i-kosoves-shenon-50-vjetorin-e-themelimit/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments