Rreth 3600 bletarë janë disbursuar deri tani, me fondet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2023.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi sot se po vijon me intensitet kryerja e pagesave, subvencione për fermerët e kualifikuar përfitues nga 9 masat e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2023.
Referuar statistikave të publikuara së fundmi nga AZHBR, deri në datën 8 tetor 2023 janë disbursuar 3578 bletarë me një numër prej 364,793 kosheresh, që kanë aplikuar për subvencione në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2023.
AZHBR ka publikuar listën e përditësuar të përfituesve e cila gjendet e publikuar në faqen zyrtare, www.azhbr.gov.al, duke klikuar në linkun: https://azhbr.gov.al/skema-kombetare-2023/.
Bletaria është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë, e cila ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm në vitet e fundit. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) prej vitit 2009 ka mbështetur vazhdimisht këtë sektor përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes, por edhe programit IPARD.
Mbi 900 fermerë më shumë se në vitin 2022 aplikuan këtë vit për subvencione direkte në mbarështimin e bletarisë, nëpërmjet Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) njofton se, 3899 fermerë në shkallë vendi kanë aplikuar dhe pritet të jenë përfitues nga skema e mbështetjes “Për mbarështimin e bletarisë”. Në raport me vjet aplikimet për bletarinë janë shtuar 33 %. Për mbarështimin e bletarisë fermerët do të subvencionohen në vlerën deri në 1000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.
Sipas AZHBR, bletaria renditet e treta, pas mbështetjes me naftë dhe blegtorisë për sa i takon numrit më të madh të aplikimeve, por edhe numrit të fermerëve përfitues.
Aplikimet për subvencione këtë vit u mbyllën më 11 prill. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë numri i total i aplikimeve arriti në 68,647 aplikime nga 58,039 që ishte numri i tyre në 2022.
Sot numërohen rreth 400,000 zgjoje bletësh në të gjithë vendin, ku vetëm në 10 vitet e fundit numri i zgjojeve është rritur me 64 %, duke ndikuar ndjeshëm në nivelin e prodhimit.
Në vitin 2022, në sajë të Skemës Kombëtare të Mbështetjes, u financuan 2681 bletarë, ndërsa përmes programit IPARD është investuar në linja përpunimi, ambalazhimi, si edhe magazina për ruajtjen e produkteve, duke synuar përveç tregut vendas, edhe atë të jashtëm.