Luiza Gega sapo ka fituar medaljen e artë duke vendosur edhe rekord të ri kombëtar në garën 3000 metra me pengesa në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, të cilat po mbahen në Algjeri. Gega udhëhoqi bindshëm që nga fillimi i garës dhe dominoi ndaj atleteve të tjera, duke u shkëputur mjaft, e duke e përfunduar me kohën rekord: 9 minuta, 14 sekonda e 29 të qindtat. Pas titullit Kampione e Ballkanit në këtë garë gjatë muajit qershor, Luiza Gega tregoi se është atletja më e mirë e momentit në garën 3000 metra me pengesa. Ajo është mbajtësja në fuqi e rekordit të Lojërave Mesdhetare të vendosur 4 vjet më parë. Kjo është medalja e dytë e artë radhazi në Lojërat Mesdhetare, pas asaj të “Tarragona 2018” në Spanjë. Gega ka përmirësuar kështu rezultatin e një muaji më parë 9:15.48 që kishte arritur në Hengelo të Holandës.
https://ata.gov.al/2022/07/01/oran-2022-luiza-gega-fiton-medaljen-e-arte/