Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAAskush s’ka të drejtë të rrezikojë sigurinë

Askush s’ka të drejtë të rrezikojë sigurinë

Eksperti amerikan i sigurisë, Daniel Serwer duke folur për barrikadat në veri të vendit ka thënë se askush nuk dyshon në të drejtën e serbëve për të protestuar por ai thekson se, askush nuk ka të drejtë të bllokojë rrugët, të sulmojë policinë dhe të rrezikojë sigurinë publike. Serwer ka reaguar pas deklaratave të kryeministres serbe Ana Bërnabiq në lidhje me barrikadat dhe tensionet në veri të Kosovës. “Askush nuk dyshon në të drejtën e serbëve në Kosovë për të protestuar në mënyrë paqësore, por nuk ka të drejtë të bllokojë rrugët, të sulmojë policinë dhe të rrezikojë sigurinë publike. Dhe nuk ka të drejtë si kryeministër i Serbisë të përdorë njerëzit në listën e pagave të shtetit tuaj për të destabilizuar një shtet fqinj”, ka shkruar ai në Twitter. Ndërsa kryeministrja e Serbisë kishte reaguar ndaj deklaratës së diplomatit gjerman Wolfgang Ischinger, i cili kishte thënë se është i shqetësuar me tensionet dhe se Bashkimi Evropian duhet të marrë rol vendimtar dhe urgjent, ndërkohë që ka pyetur në postim në Twitter nëse Serbisë i është bërë me dije se nxitja e dhunës ndaj një shteti fqinj si Kosova do të bëjë të pamundur vazhdimin e procesit drejt anëtarësimit në BE. Bërnabiq kishte treguar “arsyet” pse serbët në veri po qëndrojnë në barrikada. “I dashur @ischinger, a e dini pse serbët po protestojnë? Lutjet e tyre: 1) Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit (nënshkruar në 2013!); 2) sundimi bazë i ligjit (të mos arrestohen sipas dëshirës dhe të mbahen peng pa pasur as kontakt me familjet e tyre). Shumë për të kërkuar? Në kundërshtim me vlerat e BE-së?”, ka shkruar ajo. Edhe Ischinger ka reaguar duke u shprehur se nuk zgjidhen çështjet duke nxitur dhunë. “Ka sigurisht kërkesa legjitime, nga të dyja palët, në fakt. Ajo që nuk është në rregull, është që të adresohen shqetësimet e tilla nëpërmjet nxitjes së dhunës dhe shqetësimit publik. Serbia e di saktësisht si të veprojë si fuqi e përgjegjshme! Krishtlindja do të thotë paqe!” – ka shkruar Ischinger në Twitter. Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim. Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve. Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX. Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar dhe ka marrë edhe trajtim mjekësor. Ndërsa të dielën e 25 dhjetorit bandat kriminale serbe kanë shtënë në afërsi të një patrulle të KFOR-it në Zubin Potok. ATA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments