Arti në xham i artistes hungareze Yvette Botz tek Piramida e Tiranës

0
3

 Një prej aktiviteteve të para të Javës Kulturore Hungareze, ishte ekspozita e artistes Yvette Botz. Të pranishmit u zhytën në botën magjike të artit të xhamit nga Yvette Botz, një artiste që shkrin mjeshtërinë me vetitë unike të këtij materiali për të krijuar vepra të mbushura me ndriçim dhe formë.

Ekspozita e saj, e hapur gjatë gjithë Javës së Hungarisë ofron një rrugëtim vizual ku ngjyrat dhe hapësira bashkohen për të transformuar xhamin në art ekspresiv.

Mes krijimeve të saj, shfaqej edhe një skulpturë në xham, e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.

“Ambasada më ka ftuar me statujat e mia të xhamit të bëra me teknikën tiffany dhe është vërtet e rrallë, sepse askush nuk e bën diçka të tillë. Këto statuja janë pjesë e jetës sime dhe secila prej tyre tregon diçka për jetën time. Kam bërë diçka për Shqipërinë, një statujë për Skënderbeun. Është fat për ju shqiptarët, që ende keni në zemër atë që ky hero ka bërë për ju”, u shpreh artistja hungareze.

Në këtë ekspozitë ka vetëm 14 statuja, të cilat janë pjesë e një koleksioni privat. Yvette Botz e bën këtë punë prej 35 vitesh tashmë. Më herët ka punuar në vitrazhe kishash e ndërtesash dhe tashmë eshte fokusuar vetëm në statuja.

Java Kulturore Hungareze zhvillohet nga 1-6 shtator, në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.