Taskforca për sigurinë ushqimore në sezonin veror po vijon punën me kontrollin e shtuar në hotele, restorante, pastiçeri apo markete në këto ditë të nxehta të verës edhe në Pogradec. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishte sot në Pogradec bashkë me ekipin e taskforcës së ngritur nga AKU, e cila monitoron situatën në terren për të garantuar pushime të qeta dhe ushqim cilësor për të gjithë konsumatorët vendas e të huaj. Në fjalën e saj, Krifca siguroi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar planin e punës i fokusuar aty ku flukset e vizitorëve e turistëve janë më të shtuara. “Në Pogradec gjatë muajve të verës kemi dyfishim të numrit të popullatës. Ekipi i AKU-së raporton për një kontroll dhe një prezencë të shtuar edhe në subjekte që tregtojnë ushqime si minimarkete, supermarkete, bare, restorante, kafe apo tregtues të ushqimeve të shpejta dhe fabrika përpunimi të ushqimeve të ndryshme. Kjo për të siguruar një kontroll të shtuar për sa i takon parametrave të zbatimit të sigurisë ushqimore”, tha ministrja. Krifca theksoi se “ushqimi është një pasaportë mjaft e rëndësishme për turizmin dhe numrin e shtuar të vizitorëve”. “Në Pogradec kemi një miks të prodhimeve bujqësore dhe peshkut që nxirret nga liqeni i Pogradecit. Vijnë njerëzit ankas për të shijuar këto produkte. Kështu që duhet të garantojmë vizitorët që kanë mundësi t’i konsumojnë ato në kushtet e duhura”, theksoi ajo. Krifca tërhoqi vëmendjen për një rast mashtrimi me etiketat e ushqimeve të evidentuar në një supermarket në Korçë, për të cilin theksoi se janë marrë masa të menjëhershme. “Në qarkun e Korçës ne kemi kryer një aksion shumë të rëndësishëm. Kemi gjetur një supermarket të licencuar por që e kryente aktivitetin me mashtrime etiketash. Ky subjekt është bllokuar”, tha ajo. Krifca theksoi se AKU nuk do të bëjë asnjë tolerancë për veprimtari të tilla të paligjshme me fshirje etiketash. “Shqipëria sot ka një monitorim të shtuar dhe objektiv shumë të qartë të sigurisë ushqimore. Aktivitete të tilla patjetër që do të bllokohen, por qëllimi i taskforcës nuk është penalizimi. Roli i saj është evidentimi, paralajmërimi, këshillimi dhe aty ku ka shkelje sigurisht do të marrim masa”, siguroi Krifca. Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Pogradec Ilir Xhakolli u ndal te masat që ka marrë bashkia për mbarëvajtjen e sezonit turistik. “Aktualisht kemi rreth 40% të bregdetit plazh publik. Bashkia me mundësitë e veta ka siguruar çadra dhe kjo është përshëndetur nga banorët e Pogradecit”, tha ai. Ndër investimet në kuadër të sigurisë ushqimore, Xhakolli veçoi investimin e pritshëm për markatën e peshkut. atsh
AKU në terren për garantimin e sigurisë ushqimore
RELATED ARTICLES