Në kuadër të projektit “Përcaktimi i aftësive mbajtëse të ngarkesës turistike në peizazhet natyrore, kulturore dhe sociale”, Njësia e Përkohshme e Kërkimeve Gjeografike në Akademinë e Shkencave zhvilloi takimin hyrës, ku u prezantuan objektivat, metodologjia dhe fazat e zbatimit.

Drejtuesi i projektit, prof. dr. Perikli Qirjazi, theksoi rëndësinë e përcaktimit të kufirit të përdorimit turistik të territorit, në mënyrë që rritja e flukseve turistike të mos sjellë dëmtim të ekuilibrave natyrorë, trashëgimisë kulturore dhe mirëqenies sociale.

Studimi do të analizojë edhe ndikimin e presionit turistik mbi ekosistemet, burimet ujore, cilësinë e ajrit dhe habitatet natyrore, duke synuar krijimin e një baze shkencore për menaxhimin e territorit.

Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me përdorimin e teknologjive të reja. Prof. asoc. dr. Edmond Hoxha prezantoi metodologjinë e kërkimit dhe përdorimin e sistemeve të informacionit gjeografik (GIS), dronëve dhe instrumenteve digjitale për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave.

Gjatë takimit u vlerësua edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional. Drejtoresha e Qendrës së Koordinimit të Kërkimit Shkencor dhe Projekteve, prof. dr. Enika Abazi, si dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Danjel Pirushi, theksuan rëndësinë e një studimi të strukturuar shkencor për zonat që përballen me flukse të larta turistike.

Projekti parashikon kërkime në terren, mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, hartimin e raporteve dhe përdorimin e rezultateve për mbështetjen e politikave dhe vendimmarrjes në fushën e turizmit dhe menaxhimit të territorit.

Modeli ndërdisiplinor Ksamil-Butrint synon të ofrojë të dhëna dhe metoda të reja për vlerësimin e ngarkesës turistike dhe për ruajtjen e ekuilibrit mes zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së vlerave natyrore e kulturore të zonës.