Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për rritjen e sigurisë ushqimore në tregjet e vendit, ka nisur trajnimin me Operatorët e Biznesit Ushqimor, në qarkun e Tiranës. AKU bën të ditur se, në takimin me Shoqatën e Prodhuesve Shqiptarë u trajtuan çështje që lidhen me kuadrin ligjor, kërkesat për eksportin dhe importin, si dhe etiketimin e produkteve ushqimore. Në fokus të trajnimeve janë edhe praktikat më të mira ndërkombëtare për procedurat e kontrolleve zyrtare, licencimin etj. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit përveç detyrimit ligjor për ushtrimin e kontrolleve zyrtare, ka edhe qasje këshilluese ndaj bizneseve ushqimore në përmbushjen e kërkesave bazuar legjislacionit në fuqi.