Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBSH: Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në banka arrin në nivelin 5.6...

BSH: Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në banka arrin në nivelin 5.6 miliardë lekë

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, në prill 2024, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u shtua me 982.1 milionë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave.

Në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për shtatë vite që nga themelimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në nivelin 5.563 miliardë lekë.

Në një njoftim për shtyp BSH-ja, thekson se, “Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë. Në zbatim të ligjit bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit”.

Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 8,5 miliardë lekë brenda vitit 2027. Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2024, kontributi vjetor i sektorit bankar u përllogarit në vlerën 982.1 milionë lekë. Kontributi vjetor i llogaritur sipas rregullores, u pagua i plotë në mënyrë proporcionale nga të gjitha bankat e sistemit bankar, brenda datës 30 prill 2024.

Pas mbledhjes së kontributit për vitin e shtatë, në fund të muajit prill 2024, mjetet financiare të fondit arritën nivelin e 5.563 miliardë lekëve, si rezultat i kontributeve vjetore të bankave të mbledhura në shtatë vite (2018-2024).

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë kjo që miratohet nga Banka e Shqipërisë.

Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve; kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments