Kryeministri Benjamin Netanyahu tha sot se Izraeli do të vendosë vetë se si do t’i përgjigjet sulmit të madh ajror të Iranit në fillim të kësaj jave, duke shfuqizuar thirrjet për vetëpërmbajtje nga aleatët e ngushtë, sipas BBC. Izraeli është zotuar t’i përgjigjet sulmit të paprecedentë të Iranit pa thënë se kur dhe si, ndërsa rajoni përgatitet për një përshkallëzim të mëtejshëm pas disa muajsh trazirash që lidhen me luftën e vazhdueshme në Gaza. Pas sulmit iranian, aleatët e Izraelit i kanë bëre thirrje qeverisë të frenojë çdo përgjigje që mund të ketë spirale.
Këto thirrje u përsëritën sot gjatë vizitave të ministrave të Jashtëm britanik dhe gjerman. Presionet diplomatike erdhën pasi presidenti i Iranit paralajmëroi se edhe pushtimi “më i vogël” i territorit të tij do të nxiste një përgjigje “masive dhe të ashpër”. Ndërkohë tensionet u rritën midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah të mbështetur nga Irani, i cili sulmoi me raketa veriun e Izraelit. “Sulmi plagosi të paktën 14 ushtarë izraelitë, gjashtë në gjendje të rëndë”, tha ushtria.
Duke folur në një takim të kabinetit të tij, Netanyahu tha se ishte takuar me të dy ministrat dhe i falënderoi ata për mbështetjen e tyre. “Por, Izraeli do të vendosë vetë se si të përgjigjet, pavarësisht nga të gjitha llojet e sugjerimeve dhe këshillave që vijnë nga aleatët e Izraelit, disa prej të cilëve – duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën – të cilët ndihmuan në zmbrapsjen e sulmit me dronë dhe raketa të Iranit”, tha Netanyahu. “Dua të jem i qartë, ne do t’i marrim vetë vendimet tona. Shteti i Izraelit do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur veten”, tha ai.