Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga u takua me kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, në vijim të rezultateve e propozimeve të dala nga Seminari Ndërkombëtar për Mësimin e Historisë së Regjimit Totalitar.
Biseda u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit midis AIDSSH dhe MAS, në kuadër të marrëveshjes së përbashkët ndërinstitucionale, e cila ka si synim që në të ardhmen të përfshihen në kurrikulat shkollore ngjarje që lidhen me ditët e kujtesës e figura historike në lidhje me to, mbi realitetin e viteve ‘44-’91.
Autoriteti i Dosjeve prezantoi “Planin e Veprimit të Strategjisë së AIDSSH për Përfshirjen në Kurrikulat Arsimore Parauniversitare të Veprimtarisë të Ish-Sigurimit të Shtetit, Ditët Përkujtimore dhe Memorialet lidhur me to” (2023-2028) si dhe Platformën digjitale “Mësojmë nga e kaluara, burime arsimore të hapura `44-`91”, në shërbim të mësuesve të arsimit parauniversitar.
Në funksion të kësaj platforme digjitale AIDSSH po realizon partneritet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Radio Televizionin Shqiptar, ISKK, Akademinë e Shkencave, Qendër Kombëtare të Librit dhe Leximit, me qëllim sigurimin e burimeve autentike dhe tekste të kaluara në filtrin shkencor.
Hapat për realizmin e platformës si: aktivitetet e Klubit të Librit “Mësojmë nga e kaluara”, leksionet e hapura nga akademikë e studiues shkencorë, vizitat e nxënësve në arkiv, konkurset me nxënësit e shkollave, publikimi i librave me ngjarje të së kaluarës për nxënësit e sistemit parauniversitar, si dhe mundësia e pajisjes së institucionit me një licencë për trajnimin e mësuesve me temat historike, ishin të tjera pika ku vijoi biseda.
Në fund të dhjetorit të vitit 2023, në bashkëpunim me Departamentin e Arsimit të Këshillit të Evropës, AIDSSH dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit mbajtën seminarin ndërkombëtar: “Përdorimi i dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për mësimin e historisë së regjimit totalitar si një aspekt shumë i rëndësishëm në edukimin për demokraci në shkollë”.