Rrjeti për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave (SBFN) mirëpret Bankën e Shqipërisë si anëtaren më të re. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh entuziast rreth anëtarësimit në SBFN. “Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, ndjehem krenar të njoftoj anëtarësimin tonë në Rrjetin për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave. Ne jemi të përkushtuar ndaj financave të qëndrueshme dhe kjo reflektohet në Strategjinë tonë të miratuar së fundmi për “Administrimin dhe mbikëqyrjen e rreziqeve financiare të lidhura me klimën në sektorin financiar 2023-2025””, u shpreh Guvernatori Sejko.
Sipas Sejkos, ky partneritet me SBFN-në e përforcon edhe njëherë përkushtimin tonë për bashkëpunim, shkëmbim njohurish dhe avancim drejt një sistemi financiar më të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj sfidave që sjellin ndryshimet klimatike. Ndërsa koordinatori global i SBFN-së, Rong Zhang, shprehu gatishmërinë të punojë së bashku me Bankën e Shqipërisë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për të administruar rreziqet dhe performancën e faktorëve të lidhur me mjedisin, aspektet sociale dhe qeverisjen, në sektorin financiar, si dhe për të zhvilluar produkte novatore, të cilat inkurajojnë kanalizimin e kapitalit drejt atyre sektorëve dhe aktiviteteve që kanë objektiva të lidhura me prosperitetin financiar, mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien sociale.
“Së bashku, synojmë të adresojmë në mënyrë efektive sfidat e financave të qëndrueshme dhe të mbështesim periudhën tranzitore drejt një ekonomie të qëndrueshme”, tha ai. Anëtarësimi i Bankës së Shqipërisë në SBFN rrit numrin e anëtarësimit në këtë rrjet në 89 anëtarë dhe shtrirjen e tij në 68 shtete.