Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura të Elbasanit vazhdon punën për përmirësimin e infrastrukturës, markimin dhe pastrimin e shtigjeve këmbësore, duke lehtësuar lëvizjen e vizitorëve. Specialistët e AdZM Elbasan realizuan markimin dhe pastrimin e shtegut të këmbësorëve, që të çon në monumentin e natyrës “Shpella e Plakës”, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
“Markimi dhe shënjimi i shtigjeve ju vjen në ndihmë turistëve përgjatë përshkimit të shtigjeve natyrore të shumëllojshme që ofron Parku Kombëtar i Shebenikut”, theksoi ADZM Elbasan. Parku Kombëtar Shebenik–Jabllanicë shtrihet në verilindje të vendit tonë dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, kullotat, tokat bujqësore etj. Në këtë park turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera.