Ekspertët thonë se situata po përkeqësohet nga fenomeni klimatik “El Nino”, i cili këtë herë është veçanërisht i theksuar dhe po shkakton thatësirë të madhe në rajon.
Në disa zona të ishullit Sumatra, në Indonezi, janë regjistruar nivele shumë të larta dhe të rrezikshme të smogut.
Autoritetet kanë njoftuar se disa fluturime janë vonuar për shkak të dukshmërisë së dobët, të shkaktuar nga tymi i dendur.
Sipas Ministrisë së Pyjeve të Indonezisë, janë identifikuar qindra vatra aktive zjarri.
Shumë prej tyre shkaktohen edhe nga pastrimi i paligjshëm i tokave me anë të djegies së bimësisë, për t’i përgatitur ato për përdorime të tjera.
Zjarret shpesh përhapen edhe nën tokë, në zona me torfë të tharë. Torfa është një shtresë dheu e pasur me mbetje bimore, që mund të digjet për një kohë të gjatë.
Këto zjarre prodhojnë tym të dendur për ditë ose javë të tëra, i cili përhapet përtej kufijve të Indonezisë, duke prekur Malajzinë, Singaporin dhe Brunein.
Kriza ka nxitur edhe një padi kolektive kundër qeverisë indoneziane, ku përfshihen edhe organizata që përfaqësojnë popujt indigjenë të ishullit Borneo.
Paditësit akuzojnë qeverinë e presidentit Prabowo Subianto për neglizhencë të rëndë në menaxhimin e zjarreve dhe ndotjes së ajrit.
Ata kërkojnë që situata të shpallet emergjencë kombëtare, në mënyrë që autoritetet të ndërmarrin masa më të forta për përballimin e krizës





