Friday, October 18, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBE mbështet sipërmarrjet e reja në agroturizëm

BE mbështet sipërmarrjet e reja në agroturizëm

 Anjela Goraj, vajza e re e apasionuar pas Vilës Alpini e ka kthyer atë në një bujtinë tradicionale.

Nga dhomat komode te mikpritja e ngrohtë, Vila Alpini, mbështetur nga projekti i BE-së është më shumë se një biznes. Është një vend ky respektohet natyra, ruhen traditat e zonës.

Zyra e BE-së në Tiranë, ndau në rrjete sociale shembullin e Anjelas, vajzës 20-vjeçare që sot drejton “Vila Alpini”-n, një biznes i suksesshëm familjar, ndërsa studion për administrim biznesi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Vite më parë, në Razmë babai i saj bleu tokë në fshat dhe ndërtoi një shtëpi të vogël pushimi. Shumë shpejt, miqtë e familjes do të kërkonin të kalonin herë pas here atje fundjavat.

“Ata ishin mysafirët tanë të parë. Vetëm më vonë u bindëm se vila kishte të ardhme si bujtinë turistike. Por kishte nevojë për shumë përmirësime dhe investime”, rrëfen Anjela. Me mbështetjen e babait të saj, ajo nisi kërkimet drejt transformimit, duke u përqendruar tek arkitektura, dizajni i brendshëm, dekorimi i dhomave dhe elemente të tjera që do të bënin ndryshimin, duke kombinuar dizajnin me natyrën dhe duke sjellë përqasje moderne ndaj produkteve vendase.

Në të njëjtën kohë, një profesor në universitet i sugjeroi të aplikonte në një projekt të financuar nga BE-ja që synon të fuqizojë të rinjtë ruralë për të ndërmarrë përpjekje sipërmarrëse. Aplikimi i Anjelës pati sukses në fazën e dytë dhe nisi investimi. Me grantin e marrë, ajo mobiloi dhomat e bujtinës dhe shtoi shtretër të rinj. Ajo investoi gjithashtu për një sallë ngrënieje në verandë, ku pamja mbresëlënëse përfshin një pyll me pisha të larta dhe maja alpine të mbuluara me borë.

“Arritja më e madhe e këtij projekti ishte zhvillimi i vetvetes. Kam mësuar shumë gjatë procesit. Kam ndryshuar konceptet e mia, mendësinë dhe mënyrën se si e shoh të tashmen dhe të ardhmen. Ka qenë një përvojë sfiduese që më ka rritur shumë personalisht dhe profesionalisht”, thotë Anjela, e cila tashmë e ka listuar bujtinën në platforma ndërkombëtare, si Booking.

Si pjesë e Fushatës të Gjelbër, Zyra e BE-së në Tiranë bëri të mundur që një grup të rinjsh nga Lezha të vizitonin “Vila Alpini”-n dhe të shihnin vetë arritjen e Anjelës. Teksa bisedonte me nxënësit e rinj të shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, këshilla e saj kryesore ishte që të mos dorëzohen. “Kemi mundësinë që t’i kthejmë sërish fshatrat në modë. Idetë tona krijuese mund të nxisin nisma dhe të promovojnë natyrën, ushqimin tradicional dhe destinacione të ndryshme”, tha Anjela.

Për Anjelën, jetë rurale do të thotë të jetosh në harmoni me natyrën dhe komunitetin. Si hapi i saj i radhës, Anjela po mendon për panelet diellore, sepse dëshiron “të rivlerësojë lidhjen me tokën dhe të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit”.

Razma, një fshat rreth 40 km larg Shkodrës, shquhet për bukuritë natyrore, klimën e shëndetshme dhe peizazhet e paharrueshme. Në mes të pishave, lisave dhe blirëve të del përpara syve një vilë guri dykatëshe, “Vila Alpini”, që tërheq vizitorë vendas dhe të huaj thuajse në çdo stinë të vitit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments