“Droni Edukues” qëndron në ajër rreth 20 minuta. Ai filmon dhe dokumenton shkeljet rrugore dhe synimi nuk është masa administrative, por ndërgjegjësimi i qytetarëve. Kështu u shpreh gjatë një intervistë televizive Gerhard Baka, oficer i Policisë Rrugore.
Ai ka dhënë detaje mbi përdorimin e dronit edukues, si mjet që shton sigurinë rrugore. Ai tha se droni edukues është një nga shumë risitë teknologjike që Policia e Shtetit ka inkorporuar në punën e saj të përditshme për të rritur sigurinë rrugore dhe jo vetëm.
“Droni funksionon live. Ai bën jo vetëm identifikimin, por dhe ndjek automjetin që ka kryer shkeljen. Gjoba vendoset nga oficeri i policisë rrugore, që është në patrullim, pasi përmes pamjeve të siguruara nga droni, dokumentohet shkelja dhe i vendoset masa drejtuesit të mjeteve. Nëse drejtuesi i mjetit ka ankesa, atij apo asaj i tregohet pamja e filmuar nga droni, por deri më tani s’kemi patur ankesa”, vijon Baka.
“Koha e filmimit është 20 minuta, por kjo nuk do të thotë që droni qëndron 20 minuta në ajër, konstaton shkeljet, ulet dhe ngrihet sërish më vonë. Nuk është problemi a të kapë droni apo jo, e rëndësishme është ndërgjegjësimi, sepse në kryqëzime janë policët rrugorë që mbikëqyrin qarkullimin”, tha ai.
Ai tha se “janë shtuar metodat për kapjen e shkelësve. Digjitalizimi ka bërë që edhe ne, si trupë policore të vijojmë të azhornohemi me teknologjinë e fundit, duke pasur metoda të sofistikuara në lidhje me kundërvajtësit rrugor që përfshinë dhe këmbësorët, por edhe përdoruesit e mjeteve”.