Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARE Aliyev fiton zgjedhjet e parakohshme presidenciale

 Aliyev fiton zgjedhjet e parakohshme presidenciale

Media shtetërore në Azerbajxhan njoftoi sot në mbrëmje se sundimtari autoritar, Ilham Aliyev është fitues i zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, mes kritikave të vëzhguesve ndërkombëtarë se ato nuk kane qenë as të lira dhe as të drejta. Pas mbylljes së më shumë se 6 500 qendrave të votimit në vend, media shtetërore e Azerbajxhanit publikoi rezultatet që tregonin se Aliyev mori midis 92,4% dhe 93,9% të votave. Votimi i sotëm, në të cilin morën pjesë pothuajse 77 përqind e votuesve me të drejtë vote, sipas komisionit zgjedhor, i siguron Aliyev edhe shtatë vite të tjera në krye të Republikës së Kaukazit Jugor të pasur me naftë në Detin Kaspik. Por, vëzhguesit kritikë akuzuan se për shkak të shtypjes së ashpër, votimi nuk ishte legjitim.

Sipas tyre, Aliyev, 62 vjeç, i cili mori presidencën nga babai i tij Heydar Aliyev në 2003, nuk kishte asnjë konkurrent serioz. Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), vuri në dukje se të gjashtë kandidatët në fletëvotim së bashku me Aliyev kanë mbështetur publikisht presidentin në të kaluarën. Aktivistët e të drejtave të njeriut kritikuan gjithashtu faktin se shumë gazetarë të pavarur dhe një politikan i njohur i opozitës ishin arrestuar muajt e fundit. Gjithashtu, ka patur raportime se punonjësve të sektorit publik u është ushtruar presion për t’u drejtuar në qendrat e votimit për të siguruar një pjesëmarrje të lartë në votime.

Arsyeja zyrtare e Aliyev për të çuar përpara zgjedhjet, të cilat fillimisht ishin planifikuar për vitin 2025, është se integriteti territorial i Azerbajxhanit tani është rivendosur pas pushtimit në vjeshtë të rajonit të kontestuar të Nagorni-Karabahut. Megjithatë, Marcel Röthig, i cili drejton zyrën e Kaukazit Jugor të Fondacionit Friedrich Ebert, një institut gjerman i qendrës së majtë, beson se presidenti tani ka nevojë për legjitimim të ri të sundimit të tij. Aliyev është rizgjedhur disa herë që kur mori presidencën nga babai i tij. Krahasuar me shtetet e tjera të Kaukazit Jugor, Azerbajxhani, i cili shtrihet në Detin Kaspik dhe varet nga eksportet e naftës dhe gazit, ka pabarazi të lartë sociale, inflacion të lartë dhe rritje të ulët ekonomike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments