Ministria e Ekonomisë ka lançuar thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë së ripërtëritshme: Sistemi fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum dhe të sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar të financuara nga BE. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qëllimi i kësaj nisme është të fuqizohen familjarët e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përballueshme. Kurti shtoi se për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë. Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht për t’i dalë në ndihmë qytetarëve sa i përket energjisë elektrike. Rizvanolli tha se kjo masë do të ndikojë edhe në ruajtjen e ambientit dhe uljen e faturave të energjisë elektrike. Ndërsa, shtoi se janë 17 kompani vendore që ofrojnë shërbime që janë promovuar gjatë ditës së sotme. Në anën tjetër, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari i ka bërë thirrje bizneseve ta shfrytëzojnë këtë mundësi që kontribuon në uljen e kostos për energji. Ajo po ashtu tha se këto masa kanë për qëllim zbutjen e krizës energjetike në vend.