Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në të gjithë vendin për subjektet private parashkollore (çerdhe dhe kopshte), për të verifikuar ligjshmërinë e veprimtarisë në këto subjekte dhe për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore shtetasit që e kryejnë këtë veprimtari, në kundërshtim me ligjin. Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se kanë ushtruar kontrolle në 201 subjekte dhe kanë kryer veprimet procedurale sipas ligjit, për 81 subjekte ku ka rezultuar se veprimtaria kryhej në kundërshtim me ligjin. “Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë, janë evidentuar 63 çerdhe dhe kopshte në të cilat kryhej veprimtari pa licencën përkatëse ose me dokumentacion të parregullt, nga këto: 40 në Tiranë, 11 në Durrës, 4 në Lezhë, 4 në Shkodër, 2 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër. Për pronarët/administratorët e këtyre 63 subjekteve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të drejtorive vendore të Policisë kanë referuar materialet procedurale në prokuroritë respektive, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Punësimi i paligjshëm”, “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, deklaron policia. Për 18 subjektet e tjera që kryenin veprimtarinë në kundërshtim me ligjin,policia sqaron se janë kryer verifikimet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me organet tatimore. Këto subjekte do të ndëshkohen me masa administrative, sipas shkeljeve të kryera. Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin do të ushtrojnë kontrolle në të gjitha çerdhet dhe kopshtet private, për evidentimin e të gjitha rasteve kur veprimtaria në këto subjekte kryhet në kundërshtim me ligjin, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin sipas ligjit, të pronarëve/administratorëve të këtyre subjekteve, të cilët duke mos plotësuar standardet për kryerjen e kësaj veprimtarie mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, që nëse kanë informacion për çerdhe apo kopshte që kryejnë veprimtarinë në kundërshtim me ligjin, të denoncojnë në strukturat e Policisë ose në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë dhe profesional, në bazë të ligjit.
Kontrolle në 201 çerdhe dhe kopshte private, 63 prej tyre rezultuan pa licencë
RELATED ARTICLES