Specialistët e Entit të Farave dhe Fidanëve janë në terren çdo ditë për certifikimin e fidanëve perimore në këtë sezon të ri të mbjelljes së serrave me perime. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha sot se “gjatë periudhës janar-shtator Enti i Farave dhe Fidanëve ka certifikuar 21.8 milionë fidanë dhe 7.8 milionë fidanë janë në proces certifikimi”. Denaj e cilësoi certifikimin e fidanëve një proces me rëndësi në zinxhirin e sigurisë ushqimore, duke garantuar prodhime bujqësore të sigurta dhe të shëndetshme për të gjithë. “Nëpërmjet këtij certifikimi, sigurojmë fermerët për cilësinë e prodhimeve të tyre, eliminojmë riskun e dëmeve në vjelje dhe korrje dhe japim një vulë sigurie që i hap rrugën prodhimit bujqësor shqiptar drejt tregjeve evropiane me vlerë më të lartë, duke sjellë më shumë fitim për fermerin”, tha Denaj. Vitet e fundit është bërë një evolucion shumë i madh sa i takon certifikimit të fidanëve. Një ndër masat e kësaj ministrie ka qenë orientimi drejt fidanëve të certifikuar. Këta fidanë i japin një garanci dhe konsumatorit të vendit, por edhe konsumatorëve në tregjet e kualifikuara ku çohen produktet në eksport.