Parku Kombëtar “Llogora”, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, vijon të vizitohet nga një numër i lartë turistësh të huaj edhe në stinën e vjeshtës.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë tha se një grup turistësh të huaj vizituan qendrën e vizitorëve të Parkut Kombëtar Llogora, ku u njohën me historinë dhe arritjet e këtij parku.
Më pas ata zgjodhën të përshkojnë edhe shtigje natyrore të vështirësive të ndryshme.
Stafi i AdZM-së Vlorë i shoqëroi ata gjatë vizitës në “Shtegun e Çezarit”, për t’i njohur më nga afër natyrën dhe biodiversitetin e zonës.
Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.
Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit. Në këtë territor shtrihen disa fshatra turistikë si Palasa, Dhërmiu, Vunoi etj., që gjatë stinës së verës janë të populluar nga turistët vendas e të huaj.
Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore e dimërore, si ngjitje, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por edhe për sporte ajrore, ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive.