Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMISejko: Inflacioni rënie në tremujorin e tretë të vitit

Sejko: Inflacioni rënie në tremujorin e tretë të vitit

Inflacioni vijoi të shënojë rënie në tremujorin e tretë të vitit, duke regjistruar vlerat respektive prej 4.2% dhe 4% në muajt korrik e gusht. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën e përmuajshme për shtyp, mbajtur sot, bëri të ditur se reduktimi i inflacionit kishte një bazë relativisht të gjerë ndër artikujt e ndryshëm të shportës së konsumit. Megjithatë, shtoi Sejko, ritmi i rënies erdhi në ngadalësim gjatë tremujorit të tretë, ndërkohë që inflacioni i çmimeve të shërbimeve, të qirave dhe të mallrave të konsumit afatgjatë, u shfaq përgjithësisht i qëndrueshëm, duke ilustruar si kërkesën e lartë ashtu dhe rritjen e kostove të prodhimit në vend. “Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit u diktua nga rënia e inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste, ndonëse në rënie, shfaqen më të qëndrueshme”, tha Sejko. Në një këndvështrim më të detajuar, vijoi Sejko, rënia e inflacionit të importuar pasqyroi stabilizimin e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut gjatë viteve të fundit.”Në të kundërt, qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste diktohet nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit”, shtoi ai. Sipas Sejkos, stabilizimi në nivele të ulëta i inflacionit të importuar, një ecuri më e balancuar e kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime në vend, si dhe konvergjenca graduale e pritjeve për inflacionin në objektiv, do të diktojnë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tremujorët në vijim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments