Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAEksportet drejt Kosovës rritje me 10 % gjatë 8-mujorit

Eksportet drejt Kosovës rritje me 10 % gjatë 8-mujorit

Eksportet drejt Kosovës shënuan rritje me 10 % gjatë 8- mujorit të këtij viti, ndërsa importet ranë me rreth 2.9 miliardë lekë. Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-gusht ishin 27.5 miliardë lekë, nga 25 miliardë lekë që ishin në 8-mujorin e 2022-shit. Ndërkohë, importet për 8-mujorin llogaritën 7.5 miliardë lekë nga mbi 10.4 miliardë lekë që ishin në 8-mujorin e 2022-shit. Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike. Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat. Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës rreth 11.1 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 5.4 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike. Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Janë 1040 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi. Referuar të dhënave nga Dogana, vetëm gjatë këtij viti janë rritur me 50% mallrat dhe kontenierët që zhdoganohen në Durrës dhe kanë destinacion tregun kosovar. Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments