Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREPolemikat e Festivalit të Venecias

Polemikat e Festivalit të Venecias

Rrëmbimi i “Luanit të artë” nga një regjisor grek në Festivalin e Venecias, nuk duket se u ka krijuar probleme kineastëve italianë. Vëmendja vazhdon të mbetet tek polemikat që u nxitën nga ky festival dhe jo aq tek çmimet që u dhanë.

Pretendimeve të aktorit italian Pierfrancesco Favino se rolet e italianëve të famshëm, duhen interpretuar nga aktorë italianë edhe kur prodhimet filmike i përkasin Hollivudit, janë përkrahur por edhe hedhur poshtë nga të tjerë yje të kinematografisë, kineastë, gazetarë por edhe njerëz të thjeshtë që u përfshinë nga vala e polemikave.

Favino ngriti pretendime që në role si ai i sipërmarrësit të Ferrarit, interpretuar nga amerikani Adam Driver, duhet të kishte qenë një aktor italian. Kujtojmë se i njëjti aktor interpretoi edhe rolin e një tjetër sipërmarrësi italian që bëri histori në industrinë e modës, Maurizio Gucci (House of Gucci).

Aktori Favino, i cili vitet e fundit ka pasur një axhendë të zënë me role që i kanë sjellë sukses dhe vëmendjen e medias italiane, u përkrah në këtë thirrje nga një tjetër figurë e njohur në rang ndërkombëtar, aktori danez Mads Mikkelsen. Mikkelsen i cili garonte gjithashtu në Venecia, u shpreh pro pretendimeve të Favino-s, por shkaktoi të tjera polemika që ngritën një debat edhe më të gjerë. Sipas tij një problem më i madh është dublimi që bëjnë italianët për çdo film që shfaqet në kinematë e tyre. “Është marrëzi”, u shpreh Mikkelsen duke shtuar se kjo praktikë anulon çdo përpjekje të aktorëve për të hyrë në rol. Por rrjeti ka shpërthyer në komente kundër këtij opsioni pasi janë mësuar të dëgjojnë çdo aktor hollivudian të flasë italisht.

Ndërkohë Gabriele Muccino, një nga regjisorët më në zë të Italisë, i është rikthyer çështjes së aktorëve italianë që nuk përzgjidhen në prodhime kinematografike të nivelit të lartë. Sipas Muccino-s kjo ndodh për arsye thjesht produktive dhe marketingu. Ai kujton se edhe regjisori Luchino Visconti për një prodhim kolosal siç ishte “Il Gattopardo”, zgjodhi Burt Lancaster dhe Alain Delon.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments