Vinçenc Prennushi, klerik, publicist, poet, mbledhës i folklorit dhe përkthyes. Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. U Pagëzua me emrin Kolë. Hyri në kuvendin françeskan të vendlindjes më 1900, e më pas u shugurua meshtar në Tirol të Austrisë, ku kryente studimet, duke e ndërruar emrin në Vinçenc. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare; “Visaret e Kombit”. Në vitin 1921, boton përmbledhjen e njohur poetike: “Gjeth’ e Lule”. Ai ishte penë letrare dhe shkencore ndër fletoret më në zë të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” por, ai ishte edhe një ndër thëmeluesit e bashkëpunëtorët e grupit ma me rëndësi të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletoren e tyre “Ora e Maleve”. Më 1947 imzot Vinçenc Prennushi u arrestua nga regjimi komunist, në Tiranë, e më pas u nis për në burgun e Durrësit, ku edhe vdiq më 19 mars 1949, duke mbrojtur deri në frymën e fundit, vlerat, idealet e bindjet e veta. Imzot Vinçenc Prennushit me 37 martirë tjerë të Kishës katolike shqiptare, pas procesit kanonik kishtar të beatifikimit, e me miratimin e Papës, u shpall i Lum me ceremoninë solemne të Lumnimit, kremtuar në Shkodër, më 5 nëntor 2016.