Në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, DRTK Shkodër orgsanizon konkursin e fotografisë “Duar’ Art”, që sjell në vëmendje profile dhe histori të paekspozuara artizanësh të Shkodrës të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e qytetit. DRTK Shkodër fton të interesuarit që të dërgojnë fotografinë/fotografitë e tyre që përfaqësojnë të paktën një nga temat e mëposhtme: “Profile Artizanësh të Qytetit”: Histori familjare të dijebërjes që ata kanë trashëguar. “Trashëgimia e Duarve”: Fotografi që shfaqin aftësi të trashëguara të punës me dorë, duke ndjekur traditat dhe teknikat e brezave të mëparshëm. “Ngjyrat e Artizanatit”: Përdorimin e ngjyrave të ndryshme në krijimtarinë artizanale, që ndikojnë në ndjesitë dhe tregimin e historive përmes objekteve. “Detaje Artizanale”: Fotografitë që përqendrohen në detajet e punëve artizanale, si modelime, qëndisje dhe ngjyra. “Evolucioni i Teknikave”: Fotografi të një objekti artizanal: një e krijuar me teknika të vjetra dhe tjetra me teknika të reja. “Artizanati Modern”: Fotografitë që ndërlidhin artizanatin me teknologjinë dhe dizajnin bashkëkohor. “Historitë Përmbi Objektet”: Fotografi që tregojnë historitë që qëndrojnë pas objekteve artizanale. “Artizanati dhe Kultura”: Lidhja e punës artizanale me kulturën, zakonet dhe identitetin e qytetit. Në këtë garë fotografike mund të marrë pjesë çdo person mbi moshën 16 vjeç dhe mund të dërgohen deri në 5 fotografi me cilësi të lartë, në format A3, me ngjyra ose bardhezi, brenda datës 17.09.2023 përmes adresës elektronike/ e-mail: [email protected], me titull – Duar’Art. ATSH