Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka bërë të ditur se Ukraina dhe vendet e tjera po zhvillojnë bisedime për t’i vazhduar eksportet e drithit pa Rusinë. Gjatë një konference për media në selinë e Kombeve të Bashkuara (OKB), Kuleba tha se është i nevojshëm “vullneti politik” për të siguruar furnizimin e tregjeve globale me drithëra ukrainase. “Dhe nëse Rusia tërhiqet nga iniciativa, atëherë Ukraina, Türkiye dhe OKB-ja ose ndonjë vend apo shtet tjetër i botës mund të dalin me iniciativën e tyre ose të vazhdojnë brenda kornizës ekzistuese ose të krijojnë një model të ri dërgesash”, tha Kuleba. Duke theksuar se situata aktuale nuk mund të qëndrojë, Kuleba tha se, “Duhet të rrezikojmë. Ne duhet të tregojmë se mund të vazhdojmë pa Rusinë”. Ai theksoi se tani ka “diskutime shumë aktive” për të gjetur një alternativë ndaj marrëveshjes dhe se çështja po shqyrtohet në kryeqytete të ndryshme dhe në selinë e OKB-së. Më tej, shefi i diplomacisë ukrainase tha se mos dhënia e armëve Ukrainës do të thotë humbja e luftës. Ai theksoi se vendi do të bëhej i pambrojtur, lidhur me mendimin e disa vendeve anëtare të OKB-së se dhënia e armëve Ukrainës shkakton luftën. Dje, Kremlini njoftoi se pezullon marrëveshjen, duke deklaruar se pjesa ruse e marrëveshjes nuk u zbatua. Marrëveshja, e nënshkruar fillimisht në korrik të vitit të kaluar në Istanbul nga Türkiye, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina, kishte për qëllim fillimin e eksporteve të drithërave nga portet ukrainase, të cilat ishin ndaluar si rezultat i luftës ruso-ukrainase që filloi në shkurt të vitit 2022. Më 18 maj, marrëveshja u zgjat për 60 ditë të tjera, duke siguruar vazhdimin e eksporteve të drithërave sipas marrëveshjes dhe duke shmangur një krizë ushqimore në botë. atsh
Bisedime për t’i vazhduar eksportet e drithit pa Rusinë
RELATED ARTICLES