Ndahet nga jeta profesori i mirënjohur francez Pierre Cabanes, Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i nderuar me Urdhrin më të lartë shtetëror “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Prof. dr. Cabanes u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare. Ai ishte historian i antikitetit dhe studiues i mirënjohur i fushës së epigrafisë greke. Jeta e tij e pasur shkencore ka qenë e lidhur ngushtësisht më territorin e Ilirisë së Jugut dhe Epirit. Prandaj personaliteti shkencor dhe human i tij ka zënë vend denjësisht krahas themeluesve të arkeologjisë shqiptare të shekullit XX. Në vitin 1965, Cabanes arriti me sukses në mbrojtjen e doktoraturës me tezën “Epiri nga vdekja e Pirros deri në pushtimin romak (272-168 para Krishtit)”. Në vitin 1969 Prof.Cabanes filloi mësimdhënien në Universitetin e Clermont-Ferrand. Ndërsa në vitet 1977-1982 ai u zgjodh presidenti i parë i Universitetit Clermont-Ferrand II. Më pas u emërua në Universitetin e Parisit X-Nanterre, duke qenë për disa kohë edhe drejtor kërkimi në CNRS. “Arsenali” i aktivitetit shkencor të prof. Cabanes është shumë i gjërë, me botimin e 20 vëllime librash dhe mbi 120 artikujve shkencorë. Kolegu dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt shqiptar, epigrafi Faik Drini, ka vënë në dukje se janë pikërisht kontributet e tij mbi Ilirinë e Jugut dhe Epirin, ata, që afirmojnë më së miri emrin e tij si historian i antikitetit, dhe si specialist “par ecxellence” të historisë së lashtë së Shqipërisë. Vepra e tij renditet në vazhdën e kontributeve të studiueseve francezë të territorit të Ilirisë së Jugut dhe Eprit në shekullin e XIX si F. C. H. L Pouqueville, Ami Boué, H. Hecquard, L. Heuzey, H. Daumet, Leon Rey, Allain Ducellier dhe shumë të tjerëve gjatë shekullit XX. Prof. Cabanes ndërmori dy udhëtime në Shqipëri në vitet 1971 dhe 1974. Në vitet pasues, mbajti kontakte të vazhdueshme me kolegët shqiptarë të arkeologjisë, ndonëse në atë kohë Shqipëria përjetonte një regjim totalitar, ai arriti të shmangte shumë pengesa. Në vitin 1991 Prof.Cabanes mori përsipër menaxhimin e projektit të misionit arkeologjik dhe epigrafik francez në Shqipëri me përqëndrim kryesor gërmimet në qytetin antik të Apollonisë, pikërisht në atë vend, ku një ekip francez i kryesuar nga arkeologu Leon Rey, kishte kryer tashmë gërmime të ndërprera nga Lufta e Dytë Botërore. Këtë projekt ai e udhëhoqi me sukses për një periudhe më se dhjetëvjeçare. Ai ka vazhduar vizitat në Shqipëri pothuajse çdo vit, deri në moshën 85- vjeçare, duke vazhduar edhe me botimin e kontributeve të reja shkencore. Me përkujdesjen e UNESCO-s, ka drejtuar botimin e Hartës Arkeologjike të Shqipërisë, të paraqitur nga kolegët e tij shqiptarë Myzafer Korkuti, Apollon Baçe dhe Neritan Ceka. atsh