Thursday, November 28, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIIPARD III:Financim prodhuesve të verës

IPARD III:Financim prodhuesve të verës

Programi IPARD III, me 9 masa të akredituara për mbështetjen e bujqësisë shqiptare, me një buxhet të shtuar prej 146 milionë euro, adreson për herë të parë financim për prodhuesit e verës në tri masa mbështetje. Lajmin e mirë e dha ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në takimin që zhvilloi me prodhuesit e industrisë së verës shqiptare, të cilët i informoi se, ata përfitojnë mbështetje nga IPARD III nga Masa 1, për ndërtimin e vreshtave, Masa 3, për ndërtimin e kantinave dhe Masa e qasjes LEADER, ku sipërmarrjet do të mbështeten për investime në teknologji bashkëkohore dhe asistencë teknike. “E kemi nisur këtë faqe të re duke mundësuar investime në asete fizike që kanë rritur ndjeshem parametrat e cilësisë dhe infrastrukturën e vreshtave dhe kantinave, pasuar nga dedikimi për të ndërtuar me efektivitet dhe në bashkëpunim të plotë me kantinat një kuadër të ri ligjor për verën që mbron prodhuesit vendor, formalizon sektorin dhe ruan pasurinë e varieteteve autoktone”, u shpreh ministrja. Krifca renditi një sërë angazhimesh konkrete në mbështetje të këtij sektori, ndër të cilat, siç tha ajo, “përpjekjet masive për të promovuar ndërkombëtarisht e me çdo mjet prodhuesit dhe etiketat tona, si një ekselencë shqiptare duke synuar rritjen e konsumit të etiketave shqiptare në vendin tonë dhe rritjen e eksporteve të verës”. “Prodhimi i verës Made in Albania për vitin 2022 arriti në rreth 30.000 hektolitra, ose 15 % më shumë se viti i kaluar. Teksa 67 njësi prodhuese të kantinave, janë certifikuar e regjistruar, vitin e fundit, nga të cilat 20 në Durrës, 13 në Tiranë, 10 në Berat dhe 8 në Shkodër. Eksporti i rrushit është rritur me 22 %, në vlerën e 48 milionë lekëve gjatë vitit 2022, krahasuar me një vit më parë, ndërsa është rritur marketimi i produktit shqiptar”, tha Krifca. Duke u ndalur në epërsinë e strategjisë së MBZHR për mbështetjen e industrisë së prodhimit të verës, ministrja tha se sot, prodhuesit shqiptarë po zgjerojnë pjesëmarrjen në Panairet ndërkombëtare duke u faktorizuar në këto evente elitare me çmime nga profesionistët ndërkombëtarë të fushës. “Kemi nisur një aksion për regjistrimin e Shqipërisë në OJV si një hap i rëndësishëm i aderimit të Shqipërisë në këto institucione ndërkombëtare, që i japin vlerë të shtuar prodhimit shqiptar dhe synojmë të nxisim këtë industri drejt teknologjive të përparuara për ta bërë konkurruese në tregjet e huaja”, theksoi ministrja. Pjesëmarrësit në këtë takim, u shprehën optimistë për bashkëpunimin me MBZHR, teksa treguan se tashmë e konsiderojnë investimin në industrinë e prodhimit të verës më të lehtë, krahasuar me dhjetë apo pesëmbëdhjetë vite më parë. “Mbështetja me grante nga programi IPARD i ka dhënë nxitje investimeve për prodhimin e verës në Shqipëri sipas standardeve më të mira. Sot vera shqiptare ka marrë jehonë në tregjet e huaja. Sot jemi më të fortë në teknologji, në cilësi produkti, që na bën dhe më konkurrues në treg”, thanë ata. Përfaqësuesi i shoqatës e cilësoi Ministrinë e Bujqësisë një partnere në mbrojtjen e prodhimit vendas dhe zhvillimin e sektorit. “Hartimi i ligjit të ri për verën dhe vreshtarinë, është një mbështetje që vjen në kohën e duhur për industrinë tonë”, tha ai. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments