Udhëzimet e rishikuara do të shkojnë përtej politikave ekzistuese “nuk shihet, nuk dëgjohet”, të cilat u lejojnë nxënësve t’i mbajnë telefonat celularë në çantat e tyre, për sa kohë që ata nuk shihen ose nuk dëgjohen.

Sekretarja e Arsimit, Lucy Powell i tha BBC-së se “mesazhi i qartë” i qeverisë për prindërit dhe nxënësit ishte se “shkolla është vendi për të mësuar dhe për të krijuar miqësi, jo për të kaluar kohën duke lëvizur nëpër përmbajtjet e telefonit”.

Qeveria deklaroi se qasja në telefonat celularë “rrezikon t’i largojë fëmijët nga procesi mësimor dhe nga njëri-tjetri”. Shkollat do të kenë ende fleksibilitet në zbatimin e ndalimit, me mundësi që përfshijnë vendosjen e telefonave në qese të vulosura, dollapë të sigurt, grumbullimin e tyre në fillim të ditës ose ndalimin e pajisjeve në të gjithë hapësirat shkollore.

Megjithatë, drejtuesit e shkollave kanë paralajmëruar se masat më të rrepta do të kërkojnë financim shtesë nga qeveria. Paul Whiteman, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Drejtuesve të Shkollave (NAHT) tha se telefonat celularë mund të krijojnë “çështje të sigurisë” dhe të shndërrohen në “shpërqendrime të padobishme”, por paralajmëroi se kufizimet më të forta “do të kenë kosto”.