Për dy muaj shkodranët nuk do të mund shijojnë krapin e liqenit të Shkodrës. Nga fillimi i prillit deri në fund të muajit maj është ndaluar rreptësishtë çdo lloj gjuetie peshku në Liqenin e Shkodrës, pasi është faza e shumimit të krapit që njihet si peshku tradicional i shkodranëve. Menaxheri i Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, Arjan Çinari i bën thirrje peshkatarëve që të respektojnë të gjitha rregullat që përcaktohen në urdhrin për ndalimin e peshkut në liqenin e Shkodrës, në të kundërt thotë Çinari subjektet që konstatohen duke kryer gjueti të paligjshme do t’u hiqet licenca për një vit. “Nga 1 prill deri më 30 maj ndalohet gjuetia e krapit. Subjektet janë të detyruar të zbatojnë ligjin, pasi në të kundërt humbim lejen e 1-vjeçare të gjuetisë dhe do të përballen me pasojat e ligjit”, tha Çinari. Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Bujqësisë “Për ndalimin e peshkimit në Liqenin e Shkodrës”, sektori i Inspektimit të Peshkimit në bashkëpunim me OMP Shkodër, AKU dhe Policinë Bashkiake kanë kryer kontrolle në subjektet e magazinimit dhe tregtimit të produkteve peshkore në tregjet e Shkodrës ku është konstatuar shitje e krapit me bazë origjine nga liqeni i Prespës, thotë Çinari. “Dje u bë kontroll në tregun e Zdrales dhe tregun e Rusit dhe u pa se specia e krapit nga liqeni i Prespës, i pajisur me licencë ishte i pranishëm në tregun e Shkodrës”, tha ai. Deri në hapjen e sezonit të gjuetisë për peshkatarët e ligjshëm, Çinari thotë se kontrollet dhe monitorimet do të jenë të vazhdueshme. Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Ballkan, sipërfaqja e tij është 368 kilometra katrorë dhe në të janë evidentuar 20 specie bimore dhe 123 specie shtazore ujore të kërcënuara. Këtu përfshihen lloje të rralla speciesh, zhdukja e të cilave do të shkatërronte përfundimisht Liqenin e Shkodrës. rtsh