Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në mbledhjen e tij të radhës disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 48/ 2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”, nismë e deputetit të PS-së, Erion Braçe. Gjatë parashtrimit të nismës, Braçe u shpreh se ndryshimet e propozuara vijnë si nevojë e lindur nga situata aktuale e krijuar nga marrëdhënia gati informale mes bujqve dhe shoqërive tregtare që merren me grumbullimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe kanë për qëllim zgjidhjen e një problematike që lidhet me vonesat në shlyerjen e pagesave që rrjedhin nga sanksionet tregtare mes tyre, por dhe garantimin e konkurrencës mes grumbulluesve. Ndër të tjera, Braçe argumentoi se mos shlyerja në kohë e detyrimeve për prodhuesit bujqësorë krijon një zinxhir të vonesave në pagesa, por ndikon drejtpërdrejtë në ngadalësimin apo deri në pamundësi të vijimit të aktivitetit blegtoral dhe bujqësor në sezonet vijuese. Ndryshimet e propozuara nga Braçe parashikojnë përcaktimin e rregullave për afatet dhe mënyrën e përllogaritjes së kamatave ligjore për vonesat e pagesave, si dhe vendosjen si të detyrueshme të lëshimit të një fature tatimore nga grumbulluesi dhe bujku, në mënyrë që të verifikohet sasia e dorëzuar të produkteve bujqësore apo blegtorale. Deputeti i PS-së Eduart Ndreca, në cilësinë e relatorit, vlerësoi se nisma është në harmoni me dispozitat e ligjit aktual dhe se do të ndikojë pozitivisht në formalizimin e tregut. Komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi nismën e propozuar nga Braçe. atsh
Pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare
RELATED ARTICLES