Administrata Tatimore zhvilloi sot një takim me Shoqatën e Bankave dhe përfaqësues të të gjitha bankave në Shqipëri, me qëllim përmirësimin e protokollit të komunikimit mes palëve. Gjatë takimit u ra dakord për forcimin e bashkëpunimit, si edhe krijimin e një protokolli elektronik komunikimi, me qëllim shmangien e abuzimeve nga bizneset për të mos paguar detyrimet tatimore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se zhvillimi i një sistemi të ri digjital me qëllim përmirësimin e komunikimit me bankat do të sjellë shmangien e abuzimeve nga subjekte të caktuara për pagesën e detyrimeve tatimore, përshpejtimin e veprimeve të zhbllokimit të llogarive bankare në rast shlyerje detyrimesh, si dhe lehtësimin e komunikimit mes bankave dhe Administratës Tatimore. atsh