Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIPlan masash për të mbështetur fermerët

Plan masash për të mbështetur fermerët

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në një përmbledhje të punëve të kryera javën që po mbyllet, theksoi se, në fokus kryesor ishte hartimi i një plani masash për të ndihmuar fermerët në mbrojtje të prodhimeve bujqësore në fushë e serra, në kushtet e motit me temperatura shumë të ulëta. “Kjo javë regjistroi temperaturat më të ulëta deri tani, për këtë dimër. Pas një periudhe të butë, që na mundësoi të dilnim më shpejt me disa kultura në tregje dhe në mënyrë të veçantë me luleshtrydhen, ulja e temperaturave na ktheu dhe njëherë në shqetësimet lidhur me ngricat dhe efektet e tyre në kulturat bujqësore. Me ekstencionistët tanë, agronomet dhe veterinerët e Autoritetit Kombëtar dhe Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ne i prezantuam fermerëve masa, të cilat të mund t’i ndihmonin që kjo situatë të kalojë pa problematika të veçanta”, u shpreh ministrja Krifca. Gjithajshtu theksoi ministrja, kjo javë ishte e mbushur edhe me aktivitete të tjera në mbështetje të bujqësisë shqiptare. “Ne miratuam në Këshillin e Ministrave marrëveshjen për zbatimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale në Shqipëri me një financim prej 7.5 milionë Euro të Republikës Federale të Gjermanisë i zbatuar nga GIZ. Një program i rëndësishëm ky që do të mbështesë prioritetet e Strategjisë Kombëtare të Bujqësisë me fonde, por edhe me ekspertizë për krijimin e modeleve të fermave ekonomikisht të qëndrueshme dhe të afta të konkurojnë cilësisht në tregjet lokale dhe ato të eskportit. Në fokus do të jenë prodhimet në serra, drufrutorë, blegtori dhe agroturizëm, si dhe fuqizimi i grave dhe të rinjve në bujqësi”, deklaroi Krifca. Ministrja vuri në dukje se, “me fokus rininë në bujqësi ne shpallëm këtë javë nismën tonë më të re për zhvillimin e aftësive sipërmarrëse të të rinjve në agrobiznes ku rreth 25 të rinj do të përzgjidhen për të ndjekur këtë program që integron njohuritë teorike të sipërmarrjes dhe të digjitalizimit, me njohuritë praktike për të çuar përpara prioritetin tonë për një bujqësi inovative ku përdoren teknika inteligjente që sjellin ulje të kostove të prodhimit, si dhe rritje të prodhimit si në bimë ashtu dhe në kafshë”. “Unë ju bëj thirrje të dashur studentë, të rinj, të shkolluar brenda apo jashtë vendit që keni ambicje për të avancuar njohuritë tuaja në sektorin e bujqësisë, të mund të aplikoni nga data 15 shkurt deri në 1 mars, me një letër interesi dhe një CV, për t’i dhënë vetes suaj një fuqi të re dhe një eksperiencë të rëndësishme në rrugën tuaj profesionale. Ju do të keni mundësi të merrni pjesë në kushte reale vendimmarrje dhe zgjidhjesh të problemeve në biznes duke bashkëpunuar me sipërmarrjet ekselente në sektorin tonë të bujqësisë si “Mrizi i Zanave” në agroturizëm, apo ‘Danish Green Garden” në sektorin e serrave por dhe kompani të tjera”, tha Krifca. Gjatë javës që lamë pas, për të ndjekur nga afër ritmin e prodhimit, përpunimit dhe të eksportit, ministrja Krifca vizitoi në terren, në Lushnje serrat model të“Grames” dhe fabrikën e përpunimit të fruta-perimeve “Zdrava” ku falë edhe mbështetjes së programit IPARD, sot janë ktheyer në një pol investimi ku është maksimizuar prodhimi përmes teknologjisë, ku prodhohen produkte të cilat jo vetëm shkojnë për konsumatorin shqiptar me cilësi tepër të lartë, por në Europë dhe në Amerikë, duke punësuar fermerë, duke zhvilluar të gjithë zonën. “Në një analizë të thelluar që bëjmë me institucionet tona të performancës së tyre me Agjencitë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor, por dhe të Qendrave të Transferimit të Teknologjive Bujqësore, vura re dhe spikata punën e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë me disa ferma blegtorale të cilat janë ndihmuar të ndërtojnë përmes një monitorimi të vazhdueshëm protokolli të mbarështimit të cilat rrisin rendimentin mesatar për lopë deri në 4.5 litra qumësht më shumë në ditë”, tha Krifca, teksa deklaroi se, “qëllimi ynë i përbashkët është që ne të jemi sa më pranë fermerëve tanë jo vetëm për t’i dëgjuar për sfidat që ata kanë, por dhe për t’i dhënë zgjidhje konkrete pikërisht si kjo, për t’i këshilluar që të rrisin prodhimin, produktivitetin, të rrisin cilësinë e produkteve që ata prodhojnë duke përçuar tek ta teknologjitë më inovative”. Ministrja tha se, “ne jemi të vendosur dhe të angazhuar çdo ditë e më tepër për të rritur efektivitetin nëçdo qelizë të ekipit tonë dhe performanën e secilit prej nesh”. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments