Monday, November 25, 2024
HomeSHKENCA DHE JETADita Botërore e Ligatinave

Dita Botërore e Ligatinave

Dita Botërore e Ligatinave vjen sot nën moton “Të rehabilitojmë ligatinat e degraduara”. Një thirrje për të investuar sa më parë dhe në mënyrë të zgjuar në rehabilitimin dhe mosdegradimin e Ligatinave. Agjencitë e Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin kanë ndërmarrë një sërë aktivitetesh, me fokus ndërgjegjësimin dhe njohjen e brezit të ri me ligatinat dhe rëndësinë e tyre për të ardhmen e njerëzimit. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka publikuar një video nga ligatinat në vende të ndryshme, ku shihen bukuritë e tyre dhe flora e shtuar në këto habitate. Në kuadër të ditës botërore të Ligatinave, stafi i AdZM Shkodër së bashku me nxënës të shkollave 9-vjeçare, kanë realizuar një video me informacione mjaft interesante mbi ligatinat. “Edukimi Mjedisor është një punë e përditshme e skuadrës sonë, në të cilin gjithmonë e më shumë po përfshihen të rinjtë në nismat ndaj mjedisit”, shprehet AdZM Shkodër. Gjithashtu në kuadër të kësaj dite, stafi i AdZM Lezhë së bashku me Institutin e Politikave Mjedisore, banorët dhe subjektet që zhvillojnë aktivitetin e tyre në “Kune – Vain”, bënë të mundur mbjelljen e 200 fidanëve të llojit pishë e butë. Ndërsa AdZM Vlorë në bashkëpunim me EcoAlbania zhvilluan një aktivitet mjedisor në lagunën e Nartës, ku nxënësit e shkollës “Eqerem Beqiri” u njohën me një ndër ligatinat më të rëndësishme të Shqipërisë si dhe me disa nga shpendët karakteristikë të zonës si: flamingot, pelikani kaçurrel, karabullaku i madh, çafka e gjedhit etj. Ligatinat janë një ekosistem mjaft i rëndësishëm që sigurojnë një larmi përfitimesh përfshirë filtrimin e ujit, sigurimin e biodiversitetit, mbrojtjen e bregdetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike. E ardhmja e njerëzimit varet nga ligatinat, megjithatë, gjysma e ligatinave në botë janë zhdukur gjatë shekullit të fundit. Shumë pak vetë e dinë se në 3% sipërfaqe ligatinore në bregdet, përmblidhen 75% e vlerave të biodiversitetit. 2 Shkurti i çdo viti është Dita Botërore e Ligatinave. Kjo ditë shënon datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 2 Shkurt 1971 në qytetin Iranian të Ramsar-it. Dita Botërore e Ligatinave është një mundësi e mirë për të ndryshuar situatën dhe ndërgjegjësuar publikun mbi rëndësinë që kanë ligatinat për të ardhmen e njerëzimit. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments