Ministrja për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi bëri të ditur se, shifrat e vitit 2022 tregojnë se hapja ekonomike e vendit ka arritur në 70 %, ku në vitin 2018 kjo shifër ka qenë 58 %. Në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve “CCIT Awards 2023” mbajtur mbrëmë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, për vlerësimin e sipërmarrjes mbarëshqiptare, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, ministrja vlerësoi rolin e bizneseve mbarëkombëtare, në rritjen e ekonomisë kombëtare dhe të rajonit. “Falë politikave dhe reformave të ndërmarra, biznesi shqiptar po rritet dhe po zgjeron aktivitetin e tij ekonomik. Digjitalizimi i shërbimeve, ku sot në E-Albania janë 436 shërbime online, të cilat i kanë kursyer biznesit kohën, ulur shpenzimet dhe shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me administratën publike”, deklaroi Ekonomi. ATSH