Në urën e Kurcajt e shekullit XVIII, e vendosur në grykën mbi lumin Zezë në Krujë, monument kulture i kategorisë I po vijojnë punimet për restaurimin e saj. Drejtori i Institutit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Eugen Kallfani tha për ATSH-në se “kjo urë është një nga monumentet më interesante në gjininë e veprave të rëndësishme inxhinerike”. Sipas tij, me gjithë vështirësinë e terrenit dhe kompleksitetin e ndërhyrjes, ky monument po restaurohet tërësisht. “Punimet përfshijnë restaurimin e çarjeve, ndërhyrje konsoliduese në muraturë, plotësimin e një pjese të rrëzuar të monumentit, hapjen e një dritareje shkarkuese të mbyllur gabimisht para shumë vitesh, konsolidim dhe restaurim të harkut duke parashikuar aplikim të tirantave inoksidabël prej çeliku, pastrimin e bimësisë, fugatim të muraturës etj”, tha Kallfani. Kreu i IKTK-së bëri të ditur se ndërhyrja përfshin gjithashtu realizimin e shkallareve me mur guri për të mundësuar zbritjen në pjesën e poshtme dhe realizimin e mbrojtjes lumore për parandalimin e impaktit të drejtpërdrejtë, që mund të ketë rrjedha e ujit në raste prurjesh gjatë sezonit të shirave. Kjo urë është një tjetër sit që do të restaurohet nga programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës. Ura e Kurcajt është ndërtim i shekullit XVIII. Ajo i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë sipas këtij itinerari: Tiranë-Zall Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë. Në faqet ballore ura është e punuar me gurë pllakë të zinj vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh. ATA