Monday, November 25, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURESistem elektronik biletarie në Divjakë : Banorët përjashtohen nga tarifa

Sistem elektronik biletarie në Divjakë : Banorët përjashtohen nga tarifa

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit deklaroi sot se banorët e Divjakës përjashtohen nga tarifa për hyrjen në parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, e cila për turistët është simbolike, por e mjaftueshme për ta pastruar, mirëmbajtur dhe investuar në zonë, çka do të sjellë më shumë vizitorë e më shumë të ardhura për zonën dhe banorët. Në një deklaratë për mediet lidhur me biletarinë elektronike në Parkun e Divjakës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit sqaron se “gjatë viteve të fundit fluksi i turistëve në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta ka ardhur në rritje, duke sjellë nevojën për vendosjen e një sistemi elektronik biletarie, i cili do të bëjë të mundur hyrjen e vizitorëve dhe mjeteve nëpërmjet aksesit të kontrolluar. Aksesi i kontrolluar në park, përveç sigurimit të të ardhurave, do të ndihmojë edhe në menaxhimin efektiv e të qëndrueshëm në këtë zonë të mbrojtur mjedisore. Vendosja e kontaktit të drejtpërdrejtë i të gjithë vizitorëve me stafin e parkut, do të ndihmojë këta të fundit për të orientuar fluksin turistik dhe sjelljen e vizitorëve në përputhje me zonimin dhe rregullat e parkut, si dhe do të bëhet i mundur përcaktimi i saktë i numrit të vizitorëve dhe turistëve, regjistrimi i mjeteve motorike dhe gjenerimi i të ardhurave”. Sipas Ministrisë, rruga ku vendoset sistemi i kontrollit është një rrugë që të jep akses vetëm në park dhe nuk të lidh me asnjë aks tjetër rrugor. “Ajo është nën administrim nga ARRSH, e cila ka dhënë tashmë lejen për instalim. Investimi po kryhet në kuadër të projektit “Rritja e qëndrueshmërisë financiare të sistemit të zonave të mbrojtura në Shqipëri”, mundësuar nga UNDP. Bëhet fjalë për një biletë modeste në vlerën 50 lekë, për të rritur shërbimet dhe mirëmbajtur parkun. Kjo biletë do aplikohet vetëm për turistët dhe prej saj përjashtohen banorët e zonës. Kudo në botë, parqet kombëtare duhen mirëmbajtur në mënyrë të veçantë, për shkak të frekuentimit të lartë nga turistët. Ne kemi disa raste në Shqipëri ku kjo praktikë është aplikuar, si në Dajt, në Syrin e Kaltër, Kune Vain Lezhë dhe nuk ka pasur asnjë problem”, nënvizon Ministria. Në mbështetje të VKM-së nr. 1156, datë 24.12.2020 “Për përcaktimin e të ardhurave të gjeneruara nga tarifat që paguhen në zonat e mbrojtura, të masës dhe kritereve të përdorimit të tyre”, do të bëhet edhe caktimi i vlerës së tarifës për hyrjen në park nëpërmjet këtij sistemi elektronik. Referuar ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, neni 56, pika 2, citohet se: “Ministria, AKZM-ja dhe pushteti lokal nxitin dhe përkrahin nisma, projekte, programe e veprimtari, që synojnë përmirësimin e treguesve ekologjikë e natyrorë të një zone të mbrojtur mjedisore ose që ndikojnë pozitivisht në to”. Përcaktimi i vendeve të aksesit të kontrolluar në parqet e menaxhuara, për përmirësimin e treguesve ekologjikë e natyrorë të një zone të mbrojtur mjedisore bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura që të sigurojë ruajtje në ekosistemet e mbrojtura natyrore dhe për të garantuar përmbushjen e funksioneve mjedisore, ekonomike, sociale e kulturore, në interes të të gjithë shoqërisë. Banorë të Divjakës protestuan sot kundër vendosjes së traut në Parkun Kombëtar të Divjakës, aty ku edhe po punohet për vendosjen e biletarisë.https://ata.gov.al/2022/11/17/sistem-elektronik-biletarie-ne-divjake-ministria-e-turizmit-banoret-perjashtohen-nga-tarifa/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments