Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIAplikimi për qytetarët për panelet diellore, qeveria financon 70 %

Aplikimi për qytetarët për panelet diellore, qeveria financon 70 %

Nga sot qytetarët do të mund të aplikojnë për të përfituar subvencion në masën 70 % për instalimin e paneleve me ngrohje diellore. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Qeveria Shqiptare do vazhdojë të mbështesë dhe të mbrojë konsumatorin në këtë situatë krize energjie globale. Rama tha se 70 % e kostos do të subvencionohet nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë. Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga klientët familjarë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të ngrohtë sanitar dhe reduktimin e emetimeve të CO2. Kjo është thirrja e dytë për aplikim, e cila i drejtohet klientëve familjarë të interesuar për marrjen e shërbimit të instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për deri në 2000 (dy mijë) konsumatorë familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse. Klientët familjarë që do aplikojnë për përfitim mase mbështetëse do mund të marrin shërbimin vetëm në një nga subjektet e publikuara nga Agjencia e Eficiencës së Energjisë. Përfituesit do të zgjidhen sipas parimit “i pari që aplikon, i pari merr shërbimin”. Klientët familjarë që kërkojnë të aplikojnë për përfitimin e mbështetjes për realizimin e investimit duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme: Të paraqesin një kontratë ekzistuese me OSHEE/Furnizuesi i Shërbimit Universal ku të jenë të klasifikuar si abonent familjar dhe një historik të konsumit të energjisë për të paktën 6 muaj, që nuk duhet të jetë më pak se 250 kWh për çdo muaj. Ky kriter nuk është i zbatueshëm për klientët qe trajtohen me ndihmë ekonomike nga ministria përgjegjëse për punët sociale; të vërtetojnë se nuk janë debitorë kundrejt OSHEE/FSHU; të zotërojnë certifikatë pronësie për banesën ose njësinë e banimit (rastet që janë në proces legalizimi nuk do të konsiderohen). Sipas AEE-së qytetarët duhet të paraqesin letërnjoftim (pasaportë/kartë identiteti); certifikatë familjare; certifikatë pronësie; faturat e energjisë elektrike për 6 muajt e fundit; vërtetim debie nga e-Albania që dëshmon se nuk janë debitorë kundrejt OSHEE/FSHU për pagesën e energjisë elektrike, ose janë në një marrëveshje për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura; foto në të cilat tregohet qartë pamja e jashtme e objektit ku do të instalohen panelet diellore për ngrohjen e ujit. Klientët familjarë të cilët do të kualifikohen për përfitimin nga kjo skemë mbështetëse do të duhet të përzgjedhin një nga subjektet e njoftuara nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë për marrjen e shërbimit. Të gjithë klientët familjarë që plotësojnë kriteret, do të aplikojnë në portalin www.eficenca.al i publikuar , duke ngarkuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar. Portali bën renditjen e aplikimeve të para që pajisen me numrin rendor përkatës në mënyrë automatike. Brenda 2 ditëve punë nga data e pajisjes me numrin përkatës, Agjencia miraton ose refuzon aplikimin dhe njofton aplikuesin në mënyrë elektronike. Me marrjen e konfirmimit nga Agjencia, klienti familjar duhet të konfirmojë porosinë tek subjekti tregtues brenda 7 ditëve pune duke kryer pagesën në masën 30% të faturës. Mandati i pagesës së bërë dërgohet pranë Agjencisë për Eficiencën e Energjisë nga subjekti tregtar dhe regjistrohet. Klientët familjarë që nuk konfirmojnë porosinë dhe si rezultat, nuk dërgojnë mandatin e pagesës prej 30% të faturës brenda afateve të pikës 3 (brenda 7 ditëve pune nga konfirmimi i aprovimit të aplikimit) të këtij Kreu, humbasin të drejtën e financimit. Këto klientë kanë të drejtë të aplikojnë përsëri, duke çelur një aplikim të ri. Në rastin kur klienti familjar tërhiqet nga aplikimi, pozicioni i tyre plotësohet nga aplikuesi i radhës, deri në riplotësimin e kuotave. Nga momenti i parapagimit të faturës nga klienti familjar, subjektet tregtare duhet të instalojnë sistemin brenda 15 ditëve pune. Masat administrative për mosrespektimin e afateve parashikohen në kontratën standard mes Agjencisë për Eficiencën e Energjisë dhe subjekteve tregtuese. Klientët familjarë në çdo rast duhet të zbatojnë legjislacionin në fuqi për instalimin e këtyre paneleve, si dhe për marrjen e dakordësisë nga bashkëpronarët e tjerë nëse është e aplikueshme. Ndërkohë AEE ka publikuar listën e dokumenteve që duhet të paraqesin konsumatorët familjarë për aplikim në platformën online si dhe formularin e vetëdeklarimit. Sipas rastit, dokument që vërteton se janë përfitues të ndihmës ekonomike.

http://ata.gov.al/2022/11/01/celet-aplikimi-per-qytetaret-per-panelet-diellore-qeveria-financon-70-te-kostos/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments