“Agro Gramshi” titullohet festivali i parë i bujqësisë dhe ushqimit që u zhvillua në Gramsh gjatë fundjavës, i cili synon të promovojë produktet lokale të prodhueseve dhe prodhuesve nga zona të ndryshme. Gjatë këtij festivali vëmendje e veçantë iu kushtua promovimit të grupeve të grave kultivuese të bimëve mjekësore e aromatike dhe bletarisë, për t’i prezantuar dhe lidhur ato me blerëse e blerës të mundshëm (restorante, bujtina, njësi tregtare, agroturizme, etj.), me synim uljen e hendekut të pabarazisë gjinore në sektorin agroushqimor me anë të krijimit të kushteve dhe mundësive të barabarta të përfaqësimit në sistemet e tregut, për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Gramshit. Festivali “Agro Gramshi” organizohet në bashkëpunim me UN Women dhe CBS – Creative Business Solutions, si pjesë e ndërhyrjes “Mbështetje për përfshirjen dhe fuqizimin ekonomik të grave në zinxhirët e vlerës së bimëve aromatike e mjekësore dhe bletarisë në bashkinë Gramsh”. Përmes kësaj ndërhyrjeje po mbështeten rreth 75 gra në bashkinë Gramsh që të rrisin kapacitetet teknike dhe përfaqësimin e tyre në zinxhirët e vlerës së mjaltit dhe bimëve mjekësore e aromatike. Qëllimi kryesor është punësimi/vetëpunësimi dhe rritja e të ardhurave të tyre, duke synuar përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat rurale dhe zhvillimin ekonomik vendor. Gjatë aktivitetit bashkia Gramsh dhe UN Women prezantuan “Planin Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore 2022 – 2024” të miratuar nga Këshilli Bashkiak në 30 shtator 2022. Ky dokument, zbatimi i të cilit jetëson edhe zbatimin e Kartës Evropiane për Barazi të grave dhe burrave në jetën vendore (nënshkruar nga kryetari i bashkisë Gramsh Klodian Taçe në qershor të vitit 2021), është një hap i rëndësishëm në mbështetje të barazisë së grave dhe burrave, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm socio-ekonomik të Gramshit. Zbatimi i tij ndikon drejtpërsëdrejti dhe në përmbushjen e detyrimeve të njësive të vetëqeverisjes vendore në kuadër të procesit të integrimit në BE, për barazi e drejtësi gjinore ndërmjet grave, të rejave, vajzave dhe burrave, të rinjve e djemve, në shoqëri. Plani i miratuar përmban veprime, të cilat synojnë forcimin e zërit të grave, adresimin në mënyrën e duhur të nevojave specifike të grave dhe burrave veçanërisht nga grupet e cenueshme, fuqizimin e të rejave, të rinjve, vajzave e djemve përmes sigurimit të aftësive të nevojshme, si dhe nxitjen e tyre për të vepruar si agjente e agjentë ndryshimi në shoqëri. Në aktivitet përshëndetën kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe, përfaqësuesi i zyrës së UN Women Albania, Michele Ribotta, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe përfaqësues e përfaqësuese të qarkut, Prefekturës e institucioneve të tjera vendore në Gramsh. Ky festival organizohet në kuadër të Projektit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Bashkimi Evropian për Barazinë Gjinore në Shqipëri: “Zbatimi i Kuadrit Ligjor (Acquis) të Bashkimit Evropian për Barazinë Gjinore” (EU4GE), që po zbatohet nga UN Women dhe UNFPA dhe financohet nga Bashkimi Evropian, përmes Fondit të Përshpejtimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.http://ata.gov.al/2022/10/30/agro-gramshi-festivali-i-pare-i-bujqesise-per-promovimin-e-produkteve-lokale/
Agro Gramshi, festivali i parë i bujqësisë për promovimin e produkteve lokale
RELATED ARTICLES