Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke u bazuar në masat e ndërmarra të Qeverisë për zbutjen e krizës energjetike dhe duke iu referuar rekomandimit të Komitetit Teknik Emergjent, nga 20 tetori do të fillojë procesin e shitjes së qymyrit për qytetarë dhe biznese. Sipas njoftimit të kësaj korporate, KEK-u ka ndarë një sasi prej rreth 150,000 ton qymyr në minierën e Sibovcit Jug-Perëndim dhe ky proces është planifikuar të kryhet brenda 60 ditëve kalendarike. Lidhur me këtë, KEK-u njofton se sasia për qytetar është e limituar në një kamion prej 10 ton. Për më tepër, KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë ka caktuar çmimin prej 15 € për një ton qymyr me TVSh, pa përfshirë koston e ngarkimit dhe transportit. Tutje në njoftim bëhet e ditur se procesi i ngarkimit dhe transportit do të kryhet nga një Operator Ekonomik i përzgjedhur nga KEK-u dhe nuk mund të kalojë koston e ngarkimit prej 30 € për kamion dhe shumën prej 2.40 € për km për transport. KEK-u fton të gjithë të interesuarit që të shfrytëzojnë ketë mundësi për furnizim me qymyr për të përballuar më lehtë koston e rritur për ngrohje gjatë sezonit dimëror. Shitja e qymyrit ishte ndaluar që nga viti 2018 me një vendim të Ministrisë së Ambientit në bashkëveprim me Komunën e Prishtinës, për shkak të ndotjes së ambientit, mirëpo rrethanat e krijuara nga kriza energjetike dhe çmimet e larta të lëndëve tjera djegëse kanë bërë që qymyri të shihet si zgjidhje në këtë situatë.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=620175