Monday, November 25, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ART“Nderi i Akademisë” për disa personalitete të spikatura

“Nderi i Akademisë” për disa personalitete të spikatura

Me rastin e përvjetorit të 50-të të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, institucioni akordoi disa çmime “Nderi i Akademisë”, për disa nga personalitetet më të spikatura. Dy figura të rëndësishme të artit shqiptar u vlerësuan me “Nderi i Akademisë”: Dhimitër Anagnosti dhe Sali Shijaku. Dhimitër Anagnostit, regjisor, titulli iu dha me motivacionin: Autor veprash origjinale kinematografike si regjisor, skenarist e operator; themelvënës në historinë e artit filmik shqiptar dhe me një vend qendror në gjithë trashëgiminë e tij; që arriti të ndërthurë mjeshtërisht botën shqiptare tradicionale në një art të ri të zhvilluar në kohë të vështira dhe e paraqiti atë me cilësi konkurruese në mjediset europiane; shkrimtar e publicist, personalitet me veprimtari të shquar në jetën publike. Ndërsa piktorit Sali Shijaku, i ndarë nga jeta së fundmi, iu dha titulli “Nderi i Akademisë” me motivacionin: Kryemjeshtër i peizazhit dhe portretit në tri periudha të historisë së pikturës shqiptare: realizmit, realizmit socialist dhe të modernitetit; që arriti ta lartësojë artin e tij deri në kufijtë e një shkolle në pikëpamje të teknikave artistike; duke ndërthurur përfytyrime naiviste me përmbushje të fuqishme simbolike; me merita të shquara si një individualitet që e mbushi veprën e tij me humanizëm të thellë. Antonio Loprieno, presidentit të Federatës Europiane të Akademive të Shkencave dhe Shkencave Humane iu dha titulli “Anëtar Nderi” i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Antonio Loprieno është President i ALLEA-s (All European Academies) Pas tij, u dha çmimi për Ismail Ahmetin, personalitet me kontribut parësor në historinë e ndërtimit të veprave të mëdha hidroenergjetike në kaskadën e Drinit; si inxhinier e kryeinxhinier, drejtues e zbatues; me rol të spikatur personal në krijimin dhe funksionimin e suksesshëm të sistemit unik energjetik të vendit; figurë publike e respektuar, personifikim i ndërthurjes së suksesit dhe modestisë. “Nderi i Akademisë” shkoi edhe për prof. dr. Ethem Rukën, për veprimtarinë e tij të suksesshme në fushën e biologjisë, fiziologjisë dhe biokimisë; me kontribute të mirënjohura kërkimore-universitare, drejtim shkencor e zyrtar në të gjitha nivelet e arsimit dhe shkencës; i vlerësuar si një ndër specialistët kryesorë të fiziologjisë së botës së gjallë. Me titullin “Nderi i Akademisë” u vlerësua edhe prof.dr. Seit Mancaku, nga fusha e gjuhësisë, historian i gjuhës shqipe, i shquar për studimet e tij të thelluara për vazhdimësinë e shqipes prej burimit deri në kohët e reja. Prof. dr. Shpresa Gjongecaj, arkeologe, me profil numizmatikën, iu dha titulli “Nderi i Akademisë” me motivacionin: Shembull nxitës i suksesit shkencor në një fushë shumë të ngushtë të albanologjisë si numizmatika. Një tjetër arkeolog i njohur që u vlerësua me “Nderin e Akademisë”, ishte Neritan Ceka, figurë emblematike e brezit të dytë të arkeologëve shqiptarë, që, me veprimtarinë e tij ngulmuese kërkimore e botuese përgjatë një periudhe më se gjysmëshekullore kushtuar lashtësisë ilire e protoilire dhe vërtetimit të vazhdimësisë deri tek arbërit e shqiptarët përmes dëshmive të kulturës arkeologjike të zbuluara në kryeqendrat e qytetërimit vendës, shqoi tiparet themelore të iliricitetit, sintetizoi burimet për zhvillimin urban, organizimin politik dhe format e qeverisjes në epokën e lulëzimit të Ilirisë dhe përforcoi argumentet për veçanësinë e qytetërimit tonë.http://ata.gov.al/2022/10/11/nderi-i-akademise-per-disa-personalitete-te-spikatura/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments