Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga Parku Natyror i Munellës. Kumbaro u shpreh se Parku Natyror i Munellës është xhevahir i shtuar në larminë e zonave të mbrojtura. “Mirëmëngjes dhe fundjavë të bukur nga Parku Natyror i Munellës, xhevahir i shtuar në larminë e zonave të mbrojtura, ku natyra çlodhëse dhe biodiversiteti thërrasin gjithmonë për ta zbuluar”, shkroi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale. Parku Natyror i Munellës në Pukë është kthyer në një atraksion dhe vlerë të shtuar në guidat turistike për potencialet e veçanta që bart. Mali i Munellës, ndodhet në kufirin midis Pukës dhe Mirditës dhe arrin një lartësi prej 1996 metra. Ky mal ofron një natyrë çlodhëse me biodiversitet të larmishëm të faunës dhe florës që ka. Në këtë mal rritet një florë e larmishme me llojshmëri bimësh dhe ku nuk mungojnë lloje të ndryshme kafshësh të egra, që nga lepuri, rrëqebulli, kaprolli, derri i egër e ariu, të cilat e bëjnë Munellën një vend me mjaft interes për t’u eksploruar. Munella ofron mundësinë edhe të zhvillimit të biznesit blegtoral dhe agroturistik. Me vendim të Këshillit të Ministrave në 26 janar të këtij viti, Parku Natyror i Munellës u shpall zonë e mbrojtur.https://ata.gov.al/2022/10/08/kumbaro-parku-natyror-i-munelles-xhevahir-i-zonave-te-mbrojtura/