Nga Ukraina në Kili, nga Hong Kongu apo tani në Iran, protestuesit anembanë botës po mblidhen duke kënduar tekstin zemërthyes të “Bella Ciao!”, një këngë tradicionale italiane që është kthyer tashmë në një odë për lirinë. Gratë kurde në Turqi dhe emigrantët iranianë në Paris e kanë kënduar këngën ditët e fundit në shenjë solidariteti me iranianët që protestojnë për vdekjen e të resë Mahsa Amini, pasi ajo u arrestua nga Policia iraniane e Moralit për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike. Himni u bë simbol i protestave kur një video u bë virale. Ajo e një këngëtareje me kokën e zbuluar, në kundërshtim me hixhabin e detyrueshëm, duke performuar një version të ngadaltë në persisht. Por, ajo është përdor më parë për dekada nga protestuesit nga Nju Jorku në Hong Kong, deri në Luftën e Dytë Botërore kur u bë himni jozyrtar i luftëtarëve antifashistë. Sipas Carlo Pestelli, autor i librit “Bella Ciao: Kënga e Lirisë”, nuk ka asnjë provë që të jetë kënduar ndonjëherë nga partizanët italianë. Historia e saj shkon shumë më tej, në këngët e shekullit XIX, nga Italia Veriore plot pasion dhe dashuri të zhgënjyer. “Është e vështirë të përcaktohet saktësisht origjina e saj”, tha Carlo Pestelli duke vënë në dukje se vetë muzika ka burime të ndryshme. Teksti i paqartë, që evokon një pushtues anonim dhe nderin e vdekjes për liri – e kanë bërë që atëherë një simbol solidariteti për shumë kauza. “Nuk ishte një këngë komuniste, por një manifestim për lirinë… përfaqëson vlera apolitike që të gjithë mund t’i kuptojnë dhe ndajnë”, detajon Pestelli. ”Është gjithashtu një këngë e lehtë për t’u kënduar”, shton ai. – Një rezonancë globale – Popullariteti i “Bella Ciao” është ushqyer nga emra të mëdhenj të muzikës, përfshirë yllin francez me origjinë italiane, Yves Montand, dhe së fundmi, përfshirja e tij në serialin hit të Netflix “La casa de papel”. Dhe mund të dëgjohet kudo ku mblidhen turmat. Ukrainasit e kënduan atë këtë vit përballë forcave ruse që pushtuan vendin, ishte kolona zanore e protestuesve që kërcenin në Tripoli, një këngë nga tifozët anglezë të futbollit dhe një thirrje për veprim nga aktivistët e klimës në Sidnej në Bruksel. Në Itali, “Bella Ciao” është një himn kombëtar jozyrtar, i cili u këndua emocionalisht nga ballkonet gjatë bllokimit të pandemisë së koronavirusit 2020. Për shumë njerëz, historia e këngës është më pak e rëndësishme sesa rezonanca e saj globale. “Kjo këngë është shumë e famshme në Iran dhe në të gjithë botën, sepse është një simbol kundër shtypjes”, tha Masah, një emigrant iranian 29-vjeçar, në një tubim solidariteti në Romë këtë javë. Shpesh i përkthyer, i përshtatur ose i ripunuar, refreni është zakonisht në italisht. Në Jerusalem, kundërshtarët e kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu, i mbiquajtur “Bibi Netanyahu”, kënduan “Bibi Ciao” në melodinë e këngës, të gëzuar për mundësinë e largimit të tij. Në vitin 2019, protestuesit e opozitës në Irak u mblodhën për të kënduar “Blaya Chara!”, që do të thotë “nuk ka rrugëdalje” në dialektin irakian, me të njëjtën melodi të “Bella Ciao!”. “Kur e këndojmë, ndihemi më të bashkuar me të gjithë botën sepse është një simbol”, shton motra e Masah, Shiva, 33 vjeçe. “Muzika është një formë shprehjeje që të lejon të komunikosh edhe pa ditur gjuhë të tjera”, thekson ajo.https://ata.gov.al/2022/10/06/bella-ciao-nje-ode-per-lirine-e-kenduar-nga-irani-ne-ukraine/
“Bella Ciao!” nga Irani në Ukrainë
RELATED ARTICLES