Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit çeli sot “Tetorin e librit”, një muaj ndërgjegjësimi mbi rëndësinë që ka libri për një shoqëri e një kohë më të mirë. Në takimin e mbajtur me këtë rast, ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nënkryetarja e bashkisë, Keti Luarasi, drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, botues, autorë, përkthyes etj. Motoja e këtij tetori është “Libri afron botën”. Ndërkohë QKLL, përmes aktiviteteve që do të shoqërojnë këtë “Tetor Libri”, do të përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes “Cili duhet të jetë roli i librit, i shkrimtarit sot? Përgjatë gjithë vitit 2022, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka vijuar fushatën e saj të leximit në çdo hapësirë të Shqipërisë, jo vetëm përmes aktiviteteve, por dhe përmes takimeve me botues, autorë, përkthyes, librarë, ekspertë të arsimit, për të konfiguruar të gjitha problematikat dhe diskutuar mbi mënyrën sesi mund të përshfaqen ato në ndryshime ligjore, që do të bënin të mundur më shumë libra në bibliotekat tona, më shumë letërsi e autorë shqiptarë dhe një përdorim më të pastër të gjuhës shqipe. Falë të premtes së leximeve dhe kësaj fushate, tashmë numërohen më shumë se 50 klube leximi të hapura në të gjithë Shqipërinë. Por leximi dhe politikat në shërbim të tij vijojnë të mbeten një sfidë. Librarët dhe rrjeti i librarive, një komponent shumë i rëndësishëm, që lidh botuesin, autorin dhe lexuesin, do të jetë sërish në fokus të këtij tetori, përmes një tryeze, ku do të bëhen bashkë përfaqësues të rrjetit të librarive në vend. “Libraritë e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë duhet të jenë vende që gumëzhijnë nga lexuesit dhe kjo mbetet sfida jonë më e madhe”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit. Ky muaj përkon me ditëlindjen e tre poetëve të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare: Migjeni, Dritëro Agollit dhe Gjergj Fishtës, të cilët përfaqësojnë tri periudha të ndryshme të historisë sonë letrare dhe lexuesve të rinj.
“Tetori i librit”
RELATED ARTICLES