Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi, sot, takimin hapës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të Artikullit 4. Ministrja Ibrahimaj e informoi misionin e FMN-së, mbi ecurinë ekonomike të vendit në kontekstin e ri të krijuar nga efektet e krizës energjetike dhe konflikti ushtarak në Rusi-Ukrainë, si dhe me masat e marra nga Qeveria për përballimin e situatës. Gjatë këtij takimi, Ibrahimaj, shprehu angazhimin e Qeverisë dhe MFE-se për të ruajtur parametrat makroekonomik dhe vijuar konsolidimin fiskal, edhe pse rritja e çmimeve në tregjet globale ka dhënë efektet edhe në ekonominë shqiptare. Ministrja informoi se MFE është duke punuar për hartimin e buxhetit të vitit 2023 dhe për kuadrin makrofiskal afatmesëm, përfshirë edhe pritshmëritë për mbylljen e vitin 2022. “Nga njëra anë kemi ndërmarrë politika lehtësuese për qytetarët dhe biznesin për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe të inflacionit në përgjithësi, veçanërisht për shtresat më vulnerabël, si dhe nga ana tjetër kemi ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetit makroekonomik të vendit”, u shpreh ndër të tjera ministrja në këtë takim. Shefja e misionit të FMN-së, Yan Sun prezantoi fushat kryesore ku do të fokusohet misioni. “Fokusi do të jetë në analizën dhe perspektivën e treguesve makroekonomikë, fiskalë, monetare, financiarë, e të tjerë dhe projeksionet për to, do analizojë, vlerësojë dhe rekomandojë mbi objektivat e politikave fiskale, monetare, makro-prudenciale, e të tjerë, do analizojë planet fiskale dhe buxhetore të qeverisë, performancën e vitit 2022, financimin buxhetor, draft-buxhetin 2023 dhe planbuxhetin afatmesëm, reformat strukturore, risqet, etj”, tha Sun. Misioni i FMN-së, i cili do të qëndrojë në Tiranë, nga 27 shtatori deri më 10 tetor, do të zhvillojë takime edhe me Guvernatorin e BSH, Gent Sejko, si dhe me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë, dhe me institucione të tjera. Në fund të këtyre takimeve është parashikuar një konferencë për shtyp e përbashkët.https://ata.gov.al/2022/09/27/ibrahimaj-me-misionin-e-fmn-se-politika-lehtesuese-per-perballimin-e-rritjes-se-cmimeve/
Politika lehtësuese për përballimin e rritjes së çmimeve
RELATED ARTICLES