Kina ka mbrojtur pretendimet e saj mbi Tajvanin nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke deklaruar se kushdo që qëndron në rrugën e vendosmërisë së saj për t’u ribashkuar me ishullin e vetëqeverisur do të “dërrmohet nga rrotat e historisë”. “Pekini do të marrë masat më të fuqishme për të kundërshtuar ndërhyrjen e jashtme. Vetëm duke parandaluar me vendosmëri aktivitetet separatiste mund të krijojmë një themel të vërtetë për ribashkim paqësor. Vetëm kur Kina të ribashkohet plotësisht, mund të ketë paqe të qëndrueshme në ngushticat e Tajvanit”, tha Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kina mbron rregullisht dhe fuqishëm pretendimin e saj mbi Tajvanin, duke e parë ishullin me rreth 23 milionë banorë, me qeverinë e vet autonome pas një lufte civile të vitit 1949, si provincën e saj të shkëputur, të destinuar për t’u ribashkuar me kontinentin. Tajvani është një çështje qendrore në politikën kineze dhe paraqitja e Wang në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në vend të Presidentit Xi Jinping, po komentohet nga analistët si një sinjal i degradimit të forumit botëror për të drejtën ndërkombëtare. Wang u takua me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Anthony Blinken për 90 minuta në Nju Jork të premten. Pas takimit, Kina akuzoi SHBA-në për dërgimin e “sinjaleve shumë të gabuara dhe të rrezikshme” në Tajvan pasi Blinken i tha homologut të tij kinez se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Tajvan ishte jetike. Lidhur me luftën në Ukrainë, Wang Yi përsëriti se Kina mbështet të gjitha përpjekjet që kontribuojnë në zgjidhjen paqësore të “krizës”, duke shtuar se përparësia urgjente është lehtësimi i bisedimeve të paqes. Partneri strategjik i Rusisë, Kina, ka mbajtur vazhdimisht distancën e saj, duke kritikuar sanksionet perëndimore kundër Rusisë, por nuk ka ecur përpara për të mbështetur apo ndihmuar fushatën ushtarake.https://lajme.rtsh.al/artikull/pretendimet-mbi-tajvanin-ministri-i-jashtem-kinez-ne-okb-do-marrim-masat-me-te-forta-kunder-nderhyrjes-se-huaj
Do marrim masat më të forta kundër ndërhyrjes së huaj
RELATED ARTICLES