“Mbreti Lir” një nga tragjeditë më të mëdha të Uilliam Shekspir, shfaqet premierë në 30 shtator në skenën e Teatrit Metropol, duke çelur sezonin e ri artistik. Me regji të Jonida Beqos dhe një kast fantastik aktorësh, fundjavën e fundit të shtatorit dhe gjatë gjithë muajit tetor artdashësit kryeqytetas do të kenë mundësinë të shikojnë një produksion jashtë të zakonshmes. Në këtë tragjedi interpretojnë Viktor Zhusti, Amri Hasanlliu, Armela Demaj, Dinorah Beqiraj, Edvin Mustafa, Erdet Miraka, Klea Konomi, Klesta Shero, Kriks Dumo, Luisa Dinellari, Lulzim Zeqja, Mariglen Domi, Mario Bali, Marius Dhrami, Sara Koçi, Sedmir Memia, Silva Brahimataj, Silvio Goskova, Sokol Angjeli, Stiv Osmanaj, Xhino Musollari, Xhoni Spahi. Ndërsa as.regjisore janë Joana Omeraj, Ana Guçe, formulues muzikor: Robert Bisha, kostumograf: Jonida Beqo, as. kostumograf: Frenci Gjerasi, skenograf: Elvis Themeli ndriçimi: Ergys Baki dhe grimi: Marinela Halilaj. “Mbreti Lir” e konsideruar nga kritika si një nga veprat më të rëndësishme dhe shumë aktuale e cila përshkruan dy prindër të moshuar; njëri Mbret dhe tjetri oborrtar i tij, të cilët refuzojnë fëmijët e tyre. Verbëria e tyre lëshon një furtunë ambiciesh dhe tradhëtish, ndërsa familja dhe shteti janë zhytur në një luftë të dhunshme për pushtet, e cila rezulton në përfundime të hidhura. Kjo tragjedi është një histori e dy familjeve jofunksionale, me dinamika të ndryshme, të cilat shumë prej nesh mund t’i njohin nga afër. Fëmijë që bëjnë komplot kundër baballarëve të tyre. Një mbretëri është në trazirë. Një komb i përçarë nga shkrepëtimat e një lufte të afërt. Po çfarë e shtyn një mbret të qëndrojë përballë tre vajzave të tij dhe të pyesë se kush e do më shumë?! Çfarë e mirë mund të ndodhë kur Mbreti është i çmendur dhe budallai është i mençur?! Kur njerëzit e ndershëm ndëshkohen dhe internohen, kur një djalë kthehet kundër babait të tij?! ““Mbreti Lir” është një histori e lashtë me rëndësi të madhe në kohët moderne. Një kritikë e mendjes, moshës, nderit, mençurisë dhe besimit. Megjithëse ekziston institucioni i lashtë dhe tradicional i monarkisë edhe në kohët moderne, sot këta mbretër në botën perëndimore funksionojnë më shumë si firma publiciteti, ku imazhi është shumë më i rëndësishëm se sa përmbajtja; popullariteti i individit është shumë më i rëndësishëm sesa marrëdhëniet e vërteta njerëzore. Çfarë ne veshim në jetën e përditshme, nuk përputhet me çfarë ne jemi në brendësi”, shprehet regjisorja Jonida Beqo. Sipas saj, kostumet gjithashtu janë frymëzuar nga familjet e pasura dhe të famshme të epokës së medieve sociale; moda e fundit për burrat dhe gratë e privilegjuar të shtresës së lartë. “Mbreti Lir është një shfaqje. Mbreti Lir është një burrë. Një burrë i moshuar që dikur i madhërishëm, i cili çmendet në një stuhi të furishme “në mendjen e tij”. Rënia e Mbretit Lir ndodh për shkak të të metave të karakterin e tij dhe të metave të të tjerëve. Sepse Mbreti Lir është vetëm një njeri, kështu e trajtuam shfaqjen Mbreti Lir. Produksioni është një pasqyrim i jetës së njeriut, me të gjitha kënaqësitë, të metat, lavdinë dhe zemërimin e saj. Ajo trajton temat më njerëzore të dashurisë dhe tradhtisë, dhe u përpoqëm ta bëjmë këtë prodhim sa më njerëzor”, thekson Beqo. Pas premierës në 30 shtator shfaqja do te jetë në skenën e Teatrit Metropol përgjatë gjithë muajit tetor në orën 19:00.https://ata.gov.al/2022/09/24/tragjedia-mbreti-lir-cel-sezonin-artistik-ne-teatrin-metropol/
Tragjedia “Mbreti Lir”, çel sezonin artistik në Teatrin Metropol
RELATED ARTICLES