Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREJanë përfshirë në një mashtrim të gjerë

Janë përfshirë në një mashtrim të gjerë

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Nju Jorkut ngriti një padi gjithëpërfshirëse kundër ish-presidentit Donald Trump, tre prej fëmijëve të tij dhe Organizatës Trump, duke pretenduar se ata ishin përfshirë në një mashtrim të gjerë që zgjati mbi një dekadë dhe që ish-presidenti e përdori për të pasuruar veten. Në padinë prej më shumë se 200 faqesh, Prokurorja e Përgjithshme Letitia James, pretendon se mashtrimi preku të gjitha aspektet e biznesit të Trump, duke përfshirë pronat e tij dhe fushat e golfit. Sipas padisë, Organizata Trump mashtroi huadhënësit, siguruesit dhe autoritetet tatimore duke fryrë vlerën e pronave të tij. “Këto akte mashtrimi dhe keqinterpretimi ishin të natyrës së ngjashme, u kryen nga menaxhmenti i lartë në Organizatën Trump si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët për çdo Deklaratë vjetore dhe u miratuan në nivelet më të larta të Organizatës Trump, përfshirë nga zoti Trump vetë”, thuhet në padi. Trump dhe fëmijët e tij, Donald Trump Jr., Eric Trump dhe Ivanka Trump, përmenden si të pandehur në padi. James kërkon të ndalojë përgjithmonë Trump dhe fëmijët e përmendur në padi të shërbejnë si drejtorë të një biznesi të regjistruar në shtetin e Nju Jorkut. Ajo po kërkon gjithashtu të anulojë certifikatën e korporatës së Organizatës Trump, e cila, nëse jepet nga një gjykatës, mund ta detyrojë kompaninë të ndërpresë operacionet në shtetin e Nju Jorkut. Organizata Trump i quajti akuzat e saj të “të pabaza”. Trump po përballet me hetime të shumta penale nga prokurorët federalë dhe shtetërorë që përfshijnë saktësinë e pasqyrave financiare të kompanisë së tij, ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra. https://lajme.rtsh.al/artikull/prokurori-i-pergjithshem-i-nju-jork-padit-trump-dhe-3-femijet-e-tij-jane-perfshire-ne-nje-mashtrim-te-gjere

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments